LAJMI I FUNDIT:

Tre mesazhet kryesore të Berlinit që prishën festën e ‘fitores’ së Vuçiqit

Tre mesazhet kryesore të Berlinit që prishën festën e ‘fitores’ së Vuçiqit

Bashkëpunimi i Gjermanisë me këtë lloj qeverie në Serbi nuk është më i mundur, Serbia nën regjimin e Aleksandar Vuçiqit po shkon gjithnjë e më shumë drejt autokracisë, për shkak të parregullsive të shumta të regjistruara në zgjedhjet e 17 dhjetorit, ato duhet të përsëriten. Këto janë tre mesazhet kryesore të kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme të Bundestagut gjerman, Michael Roth dhe kryetarit të grupit parlamentar të Bundestagut për marrëdhëniet me vendet e Ballkanit Perëndimor, Josip Juratoviq.

Parregullsitë zgjedhore që vëzhguesit ndërkombëtarë dhe vendas i konstatuan më 17 dhjetor në Serbi ndezën alarmin në Evropë, në radhë të parë në shtetin më të fortë të Bashkimit Evropian – Gjermaninë, transmeton Telegrafi.


Kritikat e ashpra ndaj zyrtarëve të tyre vazhduan çdo ditë ndërsa atyre iu shtua edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, e cila udhëhiqet prej Annalena Baerbock, gruaja që është “fajtore” për përkeqësimin e marrëdhënieve midis Gjermanisë dhe Serbisë.

E ndërsa Aleksandar Vuçiq përsërit vazhdimisht se zgjedhjet janë të pastra si loti, establishmenti gjerman pretendon të kundërtën.

Kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme të Bundestagut gjerman, Michael Roth dhe kryetari i grupit parlamentar të Bundestagut për marrëdhëniet me vendet e Ballkanit Perëndimor, Josip Juratoviq, folën për nova.rs për ngjarjet pas zgjedhjeve dhe i dërguan tre mesazhe Aleksandar Vuçiqit dhe qeverisë së tij.

“Nuk e kam përjetuar kurrë këtë”

Shumica qeverisëse e Gjermanisë, si dhe disa parti opozitare në atë vend, kanë folur për faktin se zgjedhjet në Serbi janë shënuar me parregullsi të shumta. Duke u mbështetur në raportin paraprak të ODIHR-it, ata apostrofuan keqpërdorimin e burimeve publike, blerjen e votave dhe frikësimin e votuesve.

Josip Juratoviq në një intervistë për mediumin serb ka thënë se kurrë nuk kishte parë diçka të ngjashme gjatë gjithë jetës së tij.

“Si kryetar i grupit parlamentar të Bundestagut Gjerman për marrëdhëniet e Parlamentit Gjerman me vendet e Ballkanit Perëndimor, kam shumë vite që ndjek nga afër zhvillimin e politikës dhe shoqërisë në Ballkanin Perëndimor dhe shpesh hasim parregullsi në rajon, sidomos kur bëhet fjalë për garën zgjedhore. Megjithatë, unë kurrë nuk kam përjetuar diçka të tillë në pesë mandatet e mia. Fushata drejtohet nga presidenti i vendit, i cili nuk është as president i partisë për të cilën bën fushatë. Publiku po mashtrohet në favor të vetëm një partie me ndikimin e madh në hapësirën mediatike dhe atë e kryen presidenti i shtetit, i cili duhet të jetë i paanshëm në një shoqëri demokratike, d.m.th. presidenti i të gjithë qytetarëve”, tha Juratoviq.

Josip Juratoviq

Kolegu i Juratoviqit nga Bundestagu, por edhe nga Partia Social Demokratike e Gjermanisë (SPD) në pushtet, i është mirënjohës Ministrisë së Punëve të Jashtme që ka reaguar shumë qartë dhe shumë herët në lidhje me të gjitha parregullsitë zgjedhore në Serbi.

“Për mua i vetmi përfundim që mund të nxirret nga kjo analizë e saktë është se zgjedhjet duhet të rishikohen dhe nëse pretendimet vërtetohen, të anulohen dhe të ribëhen. Kjo kritikë mbështetet nga një shumicë e madhe në Bundestag, duke përfshirë edhe opozitën demokratike”, tha Roth.

Serbia po nxiton gjithnjë e më shumë drejt autokracisë

Juratoviq beson se me këto zgjedhje Vuçiq përfundimisht humbi të gjithë kredibilitetin jo vetëm në Bashkimin Evropian dhe në Perëndim, por edhe në shkallë globale.

“Në fillim pata përshtypje se ai me të vërtetë e donte një Serbi më të mirë në sytë e botës. Megjithatë, sa më gjatë e ndoqa, aq më shumë e shihja se ai po humbte në premtimet e tija për gjithçka dhe për të gjithë. Kështu që në fund humbi besimin e pothuajse të gjithëve. Ai u bë skllav i sistemit që krijoi vetë në Serbi, të cilin më nuk mund ta kontrollojë”, thotë Juratoviq.

Nga ana tjetër, Roth beson se situata në Serbi është jashtëzakonisht shqetësuese dhe se demokracia është në rrezik.

“Gjatë presidencës së Vuçiqit, Serbia e humbi gjithnjë e më shumë statusin e demokracisë, në shtrirjen e saj të plotë. Parregullsitë zgjedhore konfirmuan edhe një herë këtë trend alarmant. Vëzhguesit ndërkombëtarë në këto zgjedhje raportuan për blerjen e votave dhe përdorimin e votuesve fantazmë në favor të SNS-së në pushtet. Këto janë metoda nga mjetet e një sundimtari autokratik – jo një presidenti që është i përkushtuar ndaj demokracisë dhe shtetit të së drejtës dhe dëshiron ta dërgojë vendin në BE”, tha Roth.

Michael Roth

Marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe Serbisë janë ftohur shkaku i Vuçiqit

Juratoviq dhe Roth janë unanim në mendimin e tyre – bashkëpunimi ndërmjet Serbisë dhe Gjermanisë është pothuajse i pamundur.

“Gjermania është një partner i besueshëm i Serbisë, por me këtë lloj organizimi politik, bashkëpunimi i mëtejshëm nuk është vetëm nga pikëpamja e Gjermanisë, por edhe nga pikëpamja e Evropës dhe botës, më është pothuajse e pamundur. Komuniteti ndërkombëtar dëshiron një Serbi të fortë dhe politikisht stabile, dhe kjo është e mundur vetëm në bazë të vlerave demokratike, të cilat dukshëm shkelen në Serbi”, ka thënë Juratoviq.

“Nuk dua të dorëzohem lehtë kur bëhet fjalë për perspektivën evropiane të Serbisë. Gjermania është një nga mbështetësit më të fortë të anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Serbinë. Por, për shumë evropianë të përkushtuar dhe miq të Ballkanit Perëndimor, presidenti Vuçiq dhe regjimi i tij nuk janë më partnerë të besueshëm. Nuk ka vend për shërbëtorët e Putinit në BE”, tha Roth.

Ai shtoi se për vite të tëra, Gjermania toleroi nacionalizmin agresiv të Vuçiqit dhe flirtimin me autokracinë.

“Përvoja ka treguar se kënaqësia dhe pajtueshmëria nuk janë të zbatueshme kur bëhet fjalë për pushtetarët autoritarë. Nuk është koha për të thelluar bashkëpunimin tonë apo për të ndërmarrë hapat e ardhshëm në procesin e anëtarësimit në BE. Kjo është një provë për Vuçiqin për të parë se sa serioz është ai në të vërtetë rreth ambicieve evropiane. Jam shumë i zhgënjyer me reagimet e Brukselit dhe Uashingtonit, të cilët nuk e dënuan qartë mashtrimin e pretenduar zgjedhor”, përfundoi Roth. /Telegrafi/

Në trend Botë

Më shumë

"E pabesueshme, qesharake, absurde...", reagimet ndaj deklaratës së Borrellit, se mezi pret të punojë me qeverinë e re të Serbisë

Botë
Kievi mund të sulmojë me armë britanike Rusinë

Kievi mund të sulmojë me armë britanike Rusinë

Evropa
Komandanti i Azov kritikoi Zelenskyn: Ne nuk kemi qasje në armët perëndimore, po e mbrojmë vendin me gjak

Komandanti i Azov kritikoi Zelenskyn: Ne nuk kemi qasje në armët perëndimore, po e mbrojmë vendin me gjak

Evropa
Amerikani u kthye nga varrimi i xhaxhait dhe gjeti të bijën duke luajtur letra – pyeti kush fiton dhe përgjigja e tmerroi

Amerikani u kthye nga varrimi i xhaxhait dhe gjeti të bijën duke luajtur letra – pyeti kush fiton dhe përgjigja e tmerroi

Amerika
Tingujt e çuditshëm në mes të natës shqetësoi një grua dhe qentë e saj - një befasi rrëqethëse i priste në pragun e derës

Tingujt e çuditshëm në mes të natës shqetësoi një grua dhe qentë e saj - një befasi rrëqethëse i priste në pragun e derës

Amerika
Në njërën dorë kryqin, në tjetrin Kuranin duke u djegur në Malmo - video dramatike u transmetua live në rrjetet sociale

Në njërën dorë kryqin, në tjetrin Kuranin duke u djegur në Malmo - video dramatike u transmetua live në rrjetet sociale

Evropa
Kalo në kategori