Transportuesit nga Maqedonia sërish në protestë, kërkojnë zgjidhjen e problemit me shoferët

Transportuesit nga Maqedonia do të protestojnë më 31 gusht para Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shkup, duke kërkuar zgjidhje për kufizimin e qëndrimit të shoferëve profesionistë nga vendet jashtë BE-së në zonën Schengen, sipas rregullit 90 ditë brenda 180 ditëve.
Protesta, nga ora 12:00 deri në 14:00, është koordinuar me transportues nga Serbia, Bosnjë e Hercegovina dhe Mali i Zi. Nga „Makam Trans“ paralajmërojnë se, nëse nuk arrihet një zgjidhje kalimtare, mund të organizohet protestë në pikat kufitare nga 14 shtatori.
“Zgjidhje Bashkimi Evropian ka, sepse shoferëve turq u lëshohen viza profesionale. Ky është zgjidhja edhe për shoferët e tjerë”, deklaroi Biljana Muratovska nga „Makam Trans“.
Ndërkohë, institucionet e Maqedonisë po përpiqen ta zgjidhin çështjen përmes marrëveshjeve dypalëshe. Deri tani janë arritur marrëveshje me Kroacinë, Zvicrën dhe Rumaninë, ndërsa priten marrëveshje edhe me Austrinë, Hungarinë, Gjermaninë dhe Slloveninë.





































