LAJMI I FUNDIT:

Transportuan kallashnikov me autobusin e linjës Pogradec-Tiranë, arrestohen dy të rinj

Transportuan kallashnikov me autobusin e linjës Pogradec-Tiranë, arrestohen dy të rinj

Dy persona janë arrestuar pasi transportuan një armë zjarri kallashnikov, me autobusin e linjës Pogradec-Tiranë.

Xh. P., 28 vjeç, banues në Yzberisht, dhe F. P., 27 vjeç, banues në Pogradec, u kapën te terminali i autobusëve.


Gjatë kontrollit të çantës personale, shërbimet e policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri kallashnikov me bajonetë, dhe një mjet prerës thikë. Arma e zjarrit ishte sjellë nga Pogradeci në Tiranë, për t’u shitur tek persona të tjerë.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në vijim të zbatimit të masave të planit operacional “Sundimi i ligjit”, pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se dy shtetas që udhëtonin me autobusin e linjës Pogradec-Tiranë, dyshohej se po transportonin një armë zjarri kallashnikov, me qëllim shitjen e saj në Tiranë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Udhëtarët”, thuhet në njoftim.

Sipas policisë, po punohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale. /Telegrafi/