Trafik armësh nga Kosova drejt Shqipërisë, arrestohet i dyshuari dhe pasagjerja - pamje

Policia e Shtetit ka bërë të ditur se është finalizuar operacioni i koduar “Hallkat”, kundër trafikimit të armëve të zjarrit, nga Kosova, me qëllim shitjen grupeve kriminale.
Policia njofton se të arrestuarit janë një M. B., 34 vjeç, banues në Kukës si dhe si dhe shtetasja D. N., 39 vjeçe, banuese në Prizren.
“Si rezultat i punës hetimore dhe operative, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale, nëpërmjet konstatimit dhe goditjes së rasteve të trafikimit të armëve të zjarrit, në Shqipëri, me qëllim shitjen grupeve kriminale në qytete të ndryshme, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Durrës, finalizuan operacionin e koduar ‘Hallkat’.
Në kuadër të operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasi M. B., 34 vjeç, banues në Kukës, për veprat penale ‘Trafikimi i armëve dhe i municionit’ dhe ‘Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta’, si dhe shtetasja D. N., 39 vjeçe, banuese në Prizren, për veprën penale ‘Moskallëzimi i krimit’”, thuhet në njoftim”.
Gjatë kontrollit në automjetin me të cilin ata lëviznin në Maminas, u gjetën 3 armë zjarri (pistoleta) dhe 34 fishekë, që dyshohet se janë trafikuar nga Kosova.
Më tej, gjatë kontrollit në banesën e 33-vjeçarit, u gjet 1 armë e ftohtë (dorezë hekuri).
Hetimi vijon për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. /Telegrafi/








































