LAJMI I FUNDIT:

Tradhtia e intelektualëve

Tradhtia e intelektualëve
Ilustrim

Klodi Stralla

Thuajse një shekull më parë (1927), një mendimtar francez i quajtur Julian Benda (1867-1956) shkroi një libër që mbetet ende aktual për çdo shoqëri dhe për çdo kohë “La Trahison des clercs” (Tradhtia e intelektualëve). Ai me një mprehtësi shkencëtari dhe talent shkrimtari përshkruan një dukuri që pat filluar të shpërfaqej në shoqëritë perëndimore aty nga fillimshekullit XX, ku intelektualët, në vend të ishin “murgjit” e së vërtetës, përkundrazi, për përfitime materiale, ndere dhe ofiqe, shpesh të pamerituara, lajkatonin pushtetin dhe pasurinë duke shitur ndërgjegjen.

Pas një ndërprerje thuajse 10-vjeçare me vendet e Lindjes (vitet ‘60-të), nga vitet ‘70-të, regjimi i E. Hoxhës filloi të dërgonte jashtë shtetit, tashmë në Perëndim, studentë dhe pedagogë të rinj për kualifikime pasuniversitare, kryesisht në Francë, shtet me të cilin regjimi kishte një marrëveshje kulturore. Zakonisht ata që dërgoheshin ishin të shkencave ekzakte ose teknike, por kishte edhe nga ata të shkencave shoqërore. Përzgjidheshin, natyrisht, bij e bija prej familjeve “të mira” dhe shumë të besuara të regjimit, që kishin dalë me rezultate të mira në mësime. Ata qëndronin aty për disa vite, duke pasur mundësinë ta njihnin jetën reale të një vendi perëndimor në të gjithë aspektet e saj dhe ta ballafaqonin atë mendërisht me propagandën që i bënte asaj shoqërie regjimi komunist i Tiranës. Sot disa prej tyre kanë filluar të shkruajnë edhe kujtime nga ajo kohë dhe mirë bëjnë, ndonëse nuk na i thonë të gjitha.

Por, ajo që më ka bërë veçanërisht përshtypje dhe ende nuk i gjej dot një shpjegim shterues, është qëndrimi i tyre në vitet pas përmbysjes së diktaturës dhe aq më shumë sot, pas tri dekadash. Unë i mirëkuptoj për qëndrimet e tyre të para ‘90-ës: një punë dhe një rrogë e mirë, një pozitë shoqërore e lakmueshme, por mbi të gjitha regjimi ishte aq i ashpër në ndëshkime sa ishte vetëvrasje të shpreheshe në publik dhe të kritikoje qoftë edhe për gjëra të vogla dhe të parëndësishme. Po pas ‘90-ës?

Logjikisht, nga përvoja disavjeçare në Perëndim, ata duhet të ishin në pararojë të ndryshimeve demokratike të vërteta dhe jo fasadë, sikundër ndodhi faktikisht, qofte duke kërkuar shkrirjen e PPSh-së dhe ndërtimin e një të majte socialdemokrate perëndimore (PS), qoftë edhe duke krijuar një të djathë reale, me parime demokratike konservatore (PD). Nuk ndodhi as njëra dhe as tjetra. Po sot? Asnjë prej tyre nuk dëgjojmë të thotë asnjë fjalë për gjendjen, në të cilën ndodhet vendi në prag shpërbërjeje demografike, asnjë fjalë për situatën në Kosovë dhe në trevat ku banojnë shqiptarë; të gjithë të prirë nga interesat e ngushta personale, sikundër edhe para ‘90-ës, ndonëse është kohë tjetër. U kënaqen disa privilegjeve të vogla, si titujve, pensioneve speciale, rregullimit të fëmijëve në punëra shtetërore me përfitim, në këmbim të heshtjes, për disa ose edhe si pjesë e propagandës mediatike të pushtetit të radhës, për disa të tjerë.

Në çdo vend dhe në çdo kohë ato që e kanë shpënë shoqërinë përpara kanë qenë elitat e ndriçuara, mendjehapura, që e kanë dashur me shpirt vendin e tyre dhe gjithë përvojën dhe edukimin që rasti ua ka sjellë ta përfitojnë jashtë vendit, e kanë vënë, kur janë kthyer, në shërbim të tij. Pse nuk ndodhi, edhe pse nuk po ndodh kjo edhe te ne? E kam shumë të vështirë të përgjigjem…

P.S. Klasa e intelektualëve perëndimorë të para ‘44-ës ose u asgjësua fizikisht në burgjet e regjimit ose mori rrugët e mërgimit të përhershëm.