Toyota paralajmëron mungesë të vajit motorik për hibridet e reja

Toyota ka paralajmëruar se po përballet me mungesë të një lloji të veçantë vaji motorik që përdoret në shumë modele të reja hibride të kësaj marke.
Bëhet fjalë për vajrat motorikë 0W-8 dhe 0W-16 të kompanisë ExxonMobil, mungesa serioze e të cilëve e ka detyruar Toyotën të dërgojë paralajmërime tek distributorët dhe serviset në mbarë botën.
Sipas një letre të siguruar nga The Drive, problemi lidhet kryesisht me mungesën e të ashtuquajturave vajra bazë, të nevojshme për prodhimin e këtyre lubrifikantëve specifikë. Prodhuesi japonez thekson se po has vështirësi të mëdha në sigurimin e sasive të nevojshme të vajrave të rrallë.
Për këtë arsye, Toyota u ka kërkuar mekanikëve dhe serviseve të ndryshojnë procedurat e zakonshme të ndërrimit të vajit, me qëllim kursimin e rezervave ekzistuese dhe shmangien e boshatisjes së plotë të stokut. Ndërkohë, ExxonMobil po përballet me sfida të mëdha për të ruajtur prodhimin mes problemeve globale të furnizimit.
Ndërsa Toyota dhe ExxonMobil vazhdojnë të punojnë intensivisht për të ruajtur furnizimin, distributorëve po u rekomandohen udhëzime të reja për zëvendësimin e vajrave, në mënyrë që të menaxhohet kërkesa për produktet e prekura”, thuhet në letrën e kompanisë.
Këto udhëzime synojnë të sigurojnë që të gjithë klientët të mund të vazhdojnë servisimin e automjeteve të tyre, edhe nëse përkohësisht nuk përdoret vaji optimal për motorin.
Toyota beson se nuk ekziston rrezik i drejtpërdrejtë për automjetet, por paralajmëron se përdorimi i vajrave alternativë mund të ndikojë në efikasitetin e motorit. Në raste të tilla, motori mund të ketë performancë më të ulët, efikasitet më të dobët termik dhe rritje të lehtë të konsumit të karburantit.
Nga e gjithë situata bëhet e qartë pse Toyota dhe ExxonMobil po bëjnë përpjekje maksimale për të shmangur mungesën e vajrave 0W-8 dhe 0W-16. Ekspertët theksojnë se mungesat e vajrave motorikë janë një tjetër pasojë e krizës dhe luftës në Lindjen e Mesme. /Telegrafi/




















































