LAJMI I FUNDIT:

“Toyota” me 3.4 milionë euro, arrestohen 4 persona (Video)

“Toyota” me 3.4 milionë euro, arrestohen 4 persona (Video)

Tre milionë e 366 mijë e 700 euro dhe 80 mijë franga belge është shifra që u gjetën të fshehura në dyert dhe sediljet e dy “Toyota Yaris”, të cilat zbarkuan në portin e Durrësit.

Hetuesit kanë mbajtur procesverbal me numrat e serisë së parave, ndonëse policia e shtetit apo ndonjë institucion tjetër ende nuk ka dhënë asnjë njoftim zyrtar.

Ndërkohë, burime thonë se 4 persona janë aktualisht në statusin e të ndaluarit. Edi Lika, administratori i firmës dhe trajlerit që transportonte makinat, djali i tij Klevi Lika që shoqëronte ngarkesën, shoferi i kamionit Agim Ceka dhe shtetasi Alban Mollaymeri janë ndaluar dhe pritet të përballen me disa akuza.

Po sipas burimeve, edhe 2 persona të tjerë janë shpallur në kërkim, por identiteti i tyre nuk bëhet me dije.

Mjediset e firmës në rrugën “Niko Avrami”, ku deklarohej se kryhej aktiviteti i autor servisit, ndodhen në një zonë periferike të Tiranës e njohur ndryshe si “ Fusha e Druve”.

Ndonëse policia ka ushtruar kontrolle në këto mjedise, të hënën puna në këtë biznes vijonte normalisht.

Kontrolle janë kryer edhe në banesat e shtetasve të tjerë të ndaluar, ku sipas burimeve në banesën e shoferit Agim Ceka është gjetur edhe një armë kallashnikov. Po ashtu janë sekuestruar 7 automjete “Toyota Yaris”, një “Alfa Romeo” dhe një “Opel”, së bashku me karroatrecin që i transportoi nga Italia.

Por në mediat online u përmend një tjetër servis që përkonte me të njëjtin emër, pronari i të cilit thotë se nuk ka lidhje me ngjarjen. “Nuk jam i asaj fushe, jam i fushës së punës. Unë punoj nga mëngjesi deri në darkë”, tha ai. /Telegrafi/