Toshkovski: Shkolla e Mesme Policore fillon më 1 shtator, janë pranuar rreth 300 kandidatë

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, njoftoi se të gjithë kandidatët që i kanë kaluar me sukses seleksionimet dhe kriteret eliminatore do të pranohen në Shkollën e Mesme Policore.
Edhe pse fillimisht ishte parashikuar pranimi i 200 nxënësve, pas analizave dhe konsultimeve, si dhe sigurimit të mjeteve financiare të nevojshme, Qeveria ka vendosur të pranojë të gjithë kandidatët që i plotësojnë kushtet.
“Numri i përgjithshëm i kandidatëve që i kaluan kriteret eliminatore të lidhura me arsimin, notat e nevojshme, sjelljen, karakteristikat fizike dhe shëndetësore është rreth 300 fëmijë. Bëmë një analizë të detajuar nëse mund t’i pranojmë të gjithë, biseduam me Ministrinë e Financave dhe Qeveria vendosi se mund t’i pranojmë të gjithë. Do të ishte me të vërtetë për të ardhur keq të lëmë jashtë cilindo prej atyre fëmijëve që i kanë plotësuar kushtet”, tha Toshkovski.
Ministri shprehu kënaqësi për interesin e madh ndaj shkollës së rikthyer pas 26 vitesh, ku u regjistruan mbi 600 kandidatë, duke vlerësuar se të rinjtë kanë treguar dëshirë ta ndërtojnë të ardhmen e tyre profesionale në shërbim të shtetit dhe sigurisë së qytetarëve.
Shkolla do të fillojë punën më 1 shtator, ndërsa nxënësit do të vazhdojnë arsimin në klasën e tretë dhe të katërt.
Toshkovski theksoi se të gjithë nxënësit që do ta përfundojnë me sukses Shkollën e Mesme Policore do të bëhen pjesë e sistemit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, sipas marrëveshjes që nënshkruhet me ta.
“Të gjithë që do ta përfundojnë me sukses Shkollën e Mesme Policore do të jenë pjesë e sistemit. Ministria e Punëve të Brendshme është e obliguar të sigurojë të gjitha kushtet e nevojshme që ata të bëhen pjesë e MPB. Jam i bindur se kjo gjeneratë në të ardhmen do të jetë krenaria e Ministrisë së Punëve të Brendshme”, përfundoi Toshkovski.






































