Tifozët e Liverpoolit 'i luten' Arne Slotit ta shesë një lojtar startues sa ka ende kohë në afatin kalimtar

Tifozët e Liverpoolit kanë rënë dakord me vlerësimin kritik të ish-mbrojtësit Jamie Carragher për paraqitjen e dobët të Ibrahima Konates në ndeshjen hapëse të Ligës Premier kundër Bournemouth, të zhvilluar të dielën.
Liverpooli kaloi në epërsi 2-0 falë një goli debutues nga Hugo Ekitike dhe një tjetër nga Cody Gakpo. Megjithatë, Antoine Semenyo reagoi për “Cherries” me dy gola të bukur, pasi më parë kishte raportuar një koment racist nga një tifoz gjatë pjesës së parë.
Në pjesën e dytë, Federico Chiesa hyri nga stoli për të shënuar golin e tij të parë në Ligën Premier, ndërsa Mohamed Salah vulosi rezultatin me një tjetër gol në javën e parë të sezonit.
Skuadra e Arne Slot tregoi momente të shkëlqyera në sulm, sidomos me bashkëpunimin mes Ekitikes dhe talentit të ri Florian Wirtz, por dobësitë në mbrojtje – të dukshme edhe në Community Shield kundër Crystal Palace – u shfaqën përsëri.
Carragher, duke komentuar ndeshjen, kritikoi shpeshherë Konaten për lojën e dobët pozicionale, duke e cilësuar atë si “të çuditshëm” dhe “absolutisht tronditës”. Francezi nuk arriti të mbrohej mirë në asnjërin prej golave të Semenyos.
Kritikat nuk erdhën vetëm nga Carragher. Në rrjetet sociale, tifozët shprehën zhgënjimin e tyre:
“Konate është shumë larg nivelit të kërkuar” – shkroi një përdorues në X.
“Duhet t’i merret paga për atë përpjekje të mjerueshme në mbrojtje” – komentoi një tjetër.
“Konate duhet të largohet, edhe ai vetë duket se dëshiron të ikë” – shtoi një tifoz tjetër.
“Po luan sikur ka një marrëveshje paraprake me Madridin” – ironizoi një komentues.
Konates i skadon kontrata me Liverpoolin verën e ardhshme dhe ai vazhdon të përmendet si objektiv i Real Madridit. /Telegrafi/




































