LAJMI I FUNDIT:

Thyerja dhe krijimi i Ukrainës

Thyerja dhe krijimi i Ukrainës
Ilustrimi: James Ferguson / FT

Nga: Gideon Rachman / The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com

Në një restorant të mbushur me njerëz në Kiev, telefonat nisin të dridhen. Është alarmi për sulm me raketa. Banorëve u kërkohet të shkojnë në strehimoret e bombave. Por, askush nuk e lëviz asnjë muskul – përveç kamerierit që shkon për të pyetur nëse dikush do ëmbëlsirë.


Ai incident i javës së kaluar e shpreh përzierjen e çuditshme të normalitetit dhe të emergjencës së kohës së luftës në kryeqytetin e Ukrainës. Ka kaluar një vit qëkur ushtria ruse u dëbua nga periferitë e Kievit. Ndonëse raketat dhe dronët ndonjëherë vazhdojnë ta godasin kryeqytetin ukrainas, siç bënë javën e kaluar, kanë dështuar përpjekjet e Rusisë për ta gjymtuar infrastrukturën e Kievit. Dritat janë ndezur. Tramvajet janë në lëvizje. Kafenetë që nuk dallojnë shumë nga Bruklini apo Berlini, janë plot me klientë.

Gjërat duken freskuese dhe normale – përveçse, sigurisht që nuk janë. Qindra milje në lindje, një luftë brutale është duke vazhduar. Stacioni i Kievit është i mbushur me ushtarët e lodhur, duke shkuar në front. Numri i trupave ukrainase të vrarë në betejë mbetet sekret i ruajtur nga afër – por, vlerësimet jozyrtare thonë se janë më shumë se 100 mijë trupa të vrarë ose të plagosur. Mijëra e mijëra civilë vdiqën gjithashtu nga sulmet ruse në qytetet si Mariupoli dhe Bahmuti. Me hapësirën ajrore të mbyllur dhe me portet e Detit të Zi në masë të madhe të bllokuara, janë shumë të kufizuara kontaktet e Ukrainës me botën e jashtme.

Për shumë ukrainas, lufta sot frymëzon një përzierje konfuze të emocioneve: traumën dhe rraskapitjen nga njëra anë, por edhe krenarinë dhe shpresën.

Dëmi fizik, ekonomik dhe social në Ukrainë është i madh dhe në rritje. Pakkush kanë dyshime se edhe mijëra të tjerë do të vdesin para se lufta të përfundojë. Por, gjithashtu ekziston një ndjenjë se Ukraina më në fund po çlirohet nga e kaluara tragjike – dhe se e ardhmja, si një vend evropian paqësor dhe i begatë, është e arritshme.

Paqja, nëse dhe kur arrihet, do ta ofrojë shansin për ta rindërtuar infrastrukturën fizike të vendit. Por, disa nga dëmet sociale të shkaktuara nga lufta, mund të jenë të pariparueshme.

Popullsia e Ukrainës, para luftës, vlerësohet se ishte 37 milionë – siç thotë Hlib Vyshlinsky nga Qendra për Strategjinë Ekonomike në Kiev. Rreth 5-6 milionë ukrainas, pothuajse që të gjithë gra dhe fëmijë, tashmë janë refugjatë jashtë shtetit. Me burrat e moshës ushtarake, të ndaluar që të largohen nga vendi, familjet janë të copëtuara. Sa më gjatë që të vazhdojë lufta, aq më shumë ka gjasa që shumë prej refugjatëve të lëshojnë rrënjë jashtë shtetit dhe të mos kthehen më.

Me Ukrainën dhe Rusinë të përhumbur nga frika e rënies demografike, politika e Rusisë për rrëmbimin e fëmijëve ukrainas e ka shtuar tmerrin. Ky krim ka bërë që Gjykata Penale Ndërkombëtare të ngrejë akuza kundër presidentit Vladimir Putin. Ai e mishëron paligjshmërinë dhe brutalitetin e Rusisë – arsyeja kryesore pse kaq shumë ukrainas janë krejtësisht të vendosur për t’u çliruar nga kontrolli i Moskës.

Porti i sigurt që Ukraina synon, është BE-ja. Derisa imperializmi rus është i ndërtuar mbi dhunën dhe shtypjen kulturore, BE-ja përfaqëson një lloj tjetër perandorie – një perandori në të cilën duhet të aplikoni për t’u bashkuar dhe që bazohet në ligj dhe në shoqatat vullnetare të kombeve.

Ndryshe nga Rusia e Putinit, me vendosmërinë e saj brutale për ta tërhequr Ukrainën përsëri në orbitën e vet, BE-ja prej kohësh ka hezituar përkitazi me pranimin e vendit, duke qenë e kujdesshme për t’i marrë përsipër rreziqet e përfshira ekonomike dhe gjeopolitike.

Por, lufta më në fund e shtyri Brukselin që të veprojë. Olha Stefanishyna, zëvendëskryeministrja 37-vjeçare ukrainase e ngarkuar për integrimin evropian, thotë se vendimi i BE-së për t’ia dhënë Ukrainës statusin e kandidatit zyrtar – vetëm disa muaj pasi Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë – ishte moment transformues. “Kjo ua dha trupave në front – dhe njerëzve në strehimoret e bombave – frymëzimin dhe shpresën për të ardhmen”.

Ukraina shpreson ta fillojë procesin e mundimshëm të negociatave për hyrjen në BE, më vonë gjatë këtij viti. Por, ngjarja ku të gjithë sytë janë përqendruar është ofensiva entuziaste ushtarake ukrainase, që synon t’i dëbojë trupat e Putinit nga 17 përqindëshi i vendit që ato pushtojnë.

Disa zyrtarë ukrainas thonë haptas se muajt e ardhshëm do të jenë vendimtarët në këtë luftë. Të tjerët e refuzojnë atë lloj bisede. Ata shqetësohen se, nëse kundërsulmi ndalon, mbështetësit ndërkombëtarë të Ukrainës do të ushtrojnë presion për zgjidhje të parakohshme për paqen që nuk do ta zvogëlojë kërcënimin rus.

Frika se mbështetja e Perëndimit mund të jetë e paqëndrueshme, qëndron në sfondin e shumë bisedave në Kiev. Por, pavarësisht nga situata aktuale diplomatike, tabloja më e gjerë është se Ukraina tashmë e ka arritur statusin ndërkombëtar që nuk ka gjasa të zhduket ndonjëherë.

Derisa nuk shpërtheu kjo luftë, Ukraina shpeshherë në Perëndim trajtohej me përbuzje të madhe si një vend i korruptuar, “post-sovjetik”, pretendimi i së cilës për kombësi ishte i kohëve të fundit dhe i brishtë. Ato ditë kanë ikur përgjithmonë, duke u fshirë nga admirimi për guximin e Ukrainës në luftën për pavarësinë e vet. Një gjeneratë e re liderësh, të udhëhequr nga presidenti Volodymyr Zelenskyy, në mënyrë të shkëlqyeshme janë dëshmuar të duhur për ta çuar para çështjen e vendit.

Brenda një ministrie të rrethuar me thasë rëre dhe me poste të rojeve, Dmytro Kuleba, ministri i Jashtëm i Ukrainës thotë bindshëm se vendi i tij tashmë ka arritur diçka historike. “Identiteti i Ukrainës dhe i ukrainasve u mbajt për qindra vjet nën sipërfaqe. Kjo luftë na ka ndihmuar për të na bërë të dukshëm dhe ne nuk do të zhdukemi, kurrë më… Është për të ardhur keq që ka shkaktuar mijëra vdekje. Por, kjo është mënyra se si bota funksionon”. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Shkëlqeu ndaj Man Cityt dhe në klub ende e duan, por veterani i Real Madridit ia ka kumtuar Perezit largimin për në fund të sezonit

Shkëlqeu ndaj Man Cityt dhe në klub ende e duan, por veterani i Real Madridit ia ka kumtuar Perezit largimin për në fund të sezonit

La Liga
“Të ngrehi zhag”, deklarata e bashkëshortes së Riza Muratit, e cila e ka denoncuar kapitenin e policisë për dhunë

“Të ngrehi zhag”, deklarata e bashkëshortes së Riza Muratit, e cila e ka denoncuar kapitenin e policisë për dhunë

Drejtësi
Reagon presidenti iranian, Zelenskyt hatërmbetje me aleatët – detaje dhe pamje, minutë pas minute, rreth ‘hakmarrjes’ së Izraelit ndaj Iranit

Reagon presidenti iranian, Zelenskyt hatërmbetje me aleatët – detaje dhe pamje, minutë pas minute, rreth ‘hakmarrjes’ së Izraelit ndaj Iranit

Botë
Kosovari i arrestuar në kufi, Serbia pretendon se ishte pjesë e luftës, mohon OVL-UÇK

Kosovari i arrestuar në kufi, Serbia pretendon se ishte pjesë e luftës, mohon OVL-UÇK

Siguri
Izraeli e njoftoi në minutën e fundit SHBA-në për sulmin ndaj Iranit

Izraeli e njoftoi në minutën e fundit SHBA-në për sulmin ndaj Iranit

Azia
Zinedine Zidane ‘një hap larg’ emërimit si trajner i gjigantit të njohur evropian

Zinedine Zidane ‘një hap larg’ emërimit si trajner i gjigantit të njohur evropian

Ndërkombëtare
Kalo në kategori