Thirret protestë në Prishtinë kundër vrasjes së grave: Femicidi të trajtohet si urgjencë kombëtare

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka paralajmëruar protestë të premten në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, me thirrjen “Vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare”.
Protesta do të mbahet në orën 12:00, pas dy rasteve të vrasjes së grave të raportuara gjatë kësaj jave në Kosovë.
Në thirrjen e tyre, organizatorët e cilësojnë femicidin si kulminacion të dhunës sistematike ndaj grave dhe kundërshtojnë trajtimin e rasteve si incidente të izoluara.
“Këto dy jetë që u morën prej dorës së burrave e përplasën kobshëm fatin kolektiv që i përcaktohet vajzave e grave në një rend patriarkal”, thuhet në deklaratën e Kolektivit.
Organizatorët kërkojnë që siguria e grave të trajtohet si çështje me urgjencë kombëtare dhe si aspekt kyç i sigurisë publike.
Në mesin e kërkesave të protestuesve është edhe përgjegjësia institucionale dhe funksionalizimi i zinxhirit institucional për parandalimin e femicidit, përfshirë qendrat për punë sociale.
Kolektivi kërkon gjithashtu financim më të mirë të politikave sociale që synojnë zbutjen e pabarazive gjinore dhe që gratë të mos mbeten të varura ekonomikisht nga situatat e dhunshme.
Një tjetër kërkesë është kodifikimi i femicidit si vepër e veçantë penale, si dhe përfshirja e edukimit gjithëpërfshirës në sistemin arsimor për të trajtuar maskulinitetin toksik dhe për të promovuar barazinë gjinore.
“Ne protestojmë të premten e organizohemi çdo ditë kundër patriarkalitetit që po na dhunon çdo ditë e po ua zhvleftëson dhe merr jetën shumë prej nesh”, thuhet në thirrjen për protestë.
Kolektivi ka ftuar qytetarët t’i bashkohen protestës dhe të kërkojnë drejtësi për gratë e vrara. /Telegrafi/








































