LAJMI I FUNDIT:

Thaçi: Shqiptarëve nuk u konvenon një njësi zgjedhore

Thaçi: Shqiptarëve nuk u konvenon një njësi zgjedhore

Partia Demokratike Shqiptare nuk është për një njësi zgjedhore por kërkon nivelizimin e njësive zgjedhore. Për Menduh Thaçin është e papranueshme që njësia zgjedhore numër 6 të ketë 40 mijë votues më shumë se njësia zgjedhore numër 3.

“Sa i përket Kodit Zgjedhor dua të sqaroj se pavarësisht nëse dikush pajtohet ose jo nga përvoja e them se shqiptarëve nuk u konvenon një njësi zgjedhore, duhet të ngelin këto njësi zgjedhore të cilat me shumë mund i kemi arritur në bisedime, edhe pas Marrëveshjes së Ohrit edhe me Marrëveshjen e Përzhinës. E thjeshta pse nuk u konvenon shqiptarëve një Njësi zgjedhore është kjo, se me një njësi zgjedhore partia e parë që del merr 3-4 deputetë më shumë, partia e dytë po ashtu 2-3 e ne e dimë se në Maqedoni zakonisht partia e parë dhe e dytë dalin partitë maqedonase. Kërkesa decide e PDSH-së është që njësitë zgjedhore të nivelizohen në nivel të Republikës. Jo siç është Njësia zgjedhore numër 6 që ka shumicë absolute te shqiptarët të ketë 40 mijë votues më shumë se njësia zgjedhore numër 3. Këtu bëhet shkelja e numrit të deputetëve shqiptarë”, deklaroi Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.


Edhe BDI është kundër një njësi zgjedhore ndërsa Lëvizja Besa dhe Aleanca për Shqiptarët kanë dalë me propozimet e tyre. Nga partitë politike maqedonase, LSDM është për një njësi zgjedhore ndërsa OBRM-PDUKM është kundër.