Thaçi: Me rëndësi zgjedhjet të jenë demokratike, jo data

Këto komente ai i bëri të mërkurën gjatë një vizite në komunën e Vushtrrisë, me ç’rast ka inspektuar disa projekte që janë duke u realizuar atje.
Thaçi vlerësoi se duhet të gjenden një konsensus i gjithë partive politike për datën e zgjedhjeve, porse sipas tij më shumë rëndësi ka që zgjedhjet te jenë të lira e demokratike.
"Zgjedhjet e lira i shoh si vlerë dhe jo si datë si numra. Pastaj dua të theksoj se deklarimi për këtë datë ose atë datë nuk është bash i qëlluar. Me rëndësi është që të gjenden një zgjidhje konsensuale e përbashkët i një vendimi unanim i gjithë spektrit politik dhe puna më e parëndësishme mund të jetë data. Me rëndësi është që të kemi zgjedhje të lira, fer dhe demokratike për çka kam besim të plotë. Pastaj vullnetin e qytetarëve të Kosovës nuk e përcakton temperatura, a është nxehtë apo ftohtë, por vlera dhe vizioni i partisë politike që na do ta prezantojmë vizionin e partisë politike”, ka thënë Thaçi.
Sidoqoftë, qysh më herët, por edhe nga nisja e konsultave me presidentin janë dhënë data të ndryshme për mbajtjen e zgjedhjeve. Propozimet e tyre për datën tashmë i kanë bërë shumica e partive opozitare, ndërsa partitë e koalicionit qeverisës nuk kanë thënë ndonjë datë, por vetëm që favorizojnë muajin nëntor për zgjedhje.
Ndërkaq, krahas konsultave për caktimin e datës, vetë nga kryeministri Hashim Thaçi është konfirmuar se është duke u punuar edhe në përgatitjen e ligjit për financimin e partive politike në Kosovë.
Ndryshe, këto ditët e fundit presidenti i vendit, Fatmir Sejdiu është duke i zhvilluar konsultimet e fundit për përcaktimin e datës së zgjedhjeve. /rtv21/


















































