LAJMI I FUNDIT:

Thaçi: Ligjërimi i Lazareviqit në Akademinë Ushtarake të Serbisë duhet ta shqetësojë BE-në

Thaçi: Ligjërimi i Lazareviqit në Akademinë Ushtarake të Serbisë duhet ta shqetësojë BE-në

Presidenti Hashim Thaçi ka reaguar rreth lajmit që gjenerali serb në pension, Vladimir Lazareviq do të ligjërojë në Akademinë  Ushtarake të Serbisë.

Thaçi në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se kjo do të duhej të ishte shqetësuese për çdokënd në BE dhe shtetet anëtare të saj, pasi Vladimir Lazareviq ka qenë i dënuar nga Tribunali i Hagës për krime lufte në Kosovë.


Lexoni të plotë postimin e Thaçit:

“Nuk është çudi për askënd në Serbi, por do të duhej të ishte shqetësuese për çdokënd në BE-ne dhe shtetet anëtare të saj.

Nuk e paragjykoj reagimin e BE-së dhe me vëmendje dhe durim do ta pres një të tillë. Por nuk e di çfarë ka më të shëmtuar se fakti që një i dënuar për krime lufte kundër njerëzimit, do ligjëroj në akademinë ushtarake të Serbisë.

Ai do të ligjërojë me krenari për strategjitë dhe metodat moderne që regjimi i tij dhe vetë ai, ka përdorur gjatë shekullit të kaluar në përpjekjet e tyre për spastrim etnik në Kosovë.

Ai do t’i mësojë gjeneratat e ardhshme jo vetëm si t’i urrejnë popujt tjerë jo serbë në Ballkan, por si ta urrejnë edhe NATO-n dhe BE-në.

Pra, ligjëruesi do të kujdeset që dijen dhe përvojën e tij kriminale dhe gjenocidiale ta përçojë tek gjenerata e ardhshme.

Tani mbetet të shihet se si do ta përshpejtojë apo ngadalësojë një veprim i tillë anëtarësimin e Serbisë në BE!”. /Telegrafi/