LAJMI I FUNDIT:

Teuta Rugova del kundër LDK-së, i bashkohet Veselit në “turin lobues” për vizat

Teuta Rugova del kundër LDK-së, i bashkohet Veselit në “turin lobues” për vizat

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Teuta Rugova, nuk e ka respektuar vendimin e partisë në lidhje me ‘turin lobues’ në Europë të kryesuar nga kryeparlamentari Kadri Veseli.

Në një reagim ndaj “turit lobues” për liberalizimin e vizave, grupi parlamentar i LDK-së tha se nuk do t’i bashkohet kësaj nisme të kryesuar nga Veseli.

Madje, LDK e quajti “tur lobues – turistik” të kryetarit të Kuvendit.

Tutje, Lidhja Demokratike vlerësoi se liberalizimi i vizave nuk sigurohet përmes veprimeve të tilla.

“Për informim të opinionit, Grupi Parlamentar i LDK-së nuk ka pranuar asnjë shkresë zyrtare nga Kryetari i Kuvendit lidhur me qëllimet e këtij udhëtimi, agjendë të takimeve dhe detale të tjera të rëndësishme për të planifikuar si duhet këtë vizite zyrtare”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

Po ashtu, LDK vlerësoi se udhëtimet e tilla janë shpenzim i panevojshëm i parasë publike dhe dërgojnë mesazh të paqartë te shtetet e BE-së.

Megjithatë, një anëtare grupit parlamentar të LDK-së nuk e ka përfillur këtë qëndrim të partisë.

Teuta Rugova, deputete e LDK-së, i është bashkuar turit “turistik” siç e quajti partia e saj dhe udhëtimit që po ashtu sipas partisë së saj është “shpenzim i panevojshëm i parasë publike”.

Deputetja Teuta Rugova është parë në aeroportin e Vjenës bashkë me kolegët e saj – nga një prej secilit grup parlamentar: Glauk Konjufca, Aida Dërguti, Evgjeni Thaçi Dragusha, Time Kadrijaj, Adem Hodza dhe Fikrim Damka.