LAJMI I FUNDIT:

Termokos do të zgjerojë rrjetin e ngrohjes në 50 për qind të lagjeve të Prishtinës

Termokos do të zgjerojë rrjetin e ngrohjes në 50 për qind të lagjeve të Prishtinës

Kryeshefi ekzekutiv, Arsim Fetahu sot gjatë një konference për media ka bërë të ditur se furnizimi me ngrohje gjatë vitit 2019 ka qenë më i mirë se vitet paraprake.

Ai tha se sivjet do të ketë zgjerim të rrjetit të ngrohjes në 50 për qind të lagjeve në Prishtinë nga 28 për qind sa ishte deri tash.


“Definitivisht viti i kaluar ka qenë më i suksesshmi në historinë e Termokosit, duke pasur parasysh të arriturat të cilat do t’i shpalosim tash. Gjatë vitit 2019 furnizimi me ngrohje ka qenë shumë i mirë, ku pjesa dërmuese e konsumatorëve tonë janë të kënaqur me shërbimet e ngrohjes. Gjithashtu dallim këtë vit ka bërë edhe furnizimi kualitativ i ngrohjes së Kodrës së Diellit, i cili deri tash ka pasur probleme të theksuara, mirëpo për fat të mirë është rregulluar. Prodhimi i energjisë termike ka qenë 232.246 MWh, rritje 5 për qind në vitin 2019 me shumë se viti 2018, që ka qenë prodhimi më i madh që ka qenë ndonjëherë në Termokos. Liferimi i energjisë termike ka pasur rritje për 9.6 për qind në raport me vitin 2018”, tha Fetahu.

Sipas tij, humbjet e energjisë gjatë vitit 2019 kanë pasur rënie nga 10 për qind në 8 për qind, që është shumë e rëndësishme për përmbushjen e nevojave në aspektin teknik.

Fetahu tha se lagjet që do të jenë prioritet i Termokosit për vitin 2020, janë fillimisht Ulpiana, Dardania, Mati 1, raporton KP.

Ndryshe, Termokos është themeluar në vitin 1970, si kompani e ngrohjes qendrore.