LAJMI I FUNDIT:

Termocentralet dhe makinat, ndotësit më të mëdhenj të ajrit

Termocentralet dhe makinat, ndotësit më të mëdhenj të ajrit

Cilësia e ajrit në Kosovë vazhdon të jetë shqetësues, sidomos në disa qendra, duke tejkaluar edhe normat e lejuara. Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit hapësinor ka hartuar planin e aktiviteteve për përmirësimin e cilësisë së ajrit vjeshtë-dimër 2017-2018. Aktualisht në Kosovë ndotësit më të mëdhenj janë termocentralet të cilët prodhojnë energji eklektike.

Plani parasheh arritjen e tri objektivave, përmirësimin e cilësisë së ajrit, rritjen e nivelit të zbatimit të legjislacionit dhe përgjegjësive institucionale, si dhe ngritjen e nivelit të edukimit dhe ndërgjegjësimit për mbrojtjen e ajrit nga ndotja.


Plani u bë i ditur në tryezën me temën “Cilësia e ajrit në Kosovë, sfidat dhe veprimet”, organizuar nga MMPH.

kryeministri Ramush Haradinaj tha se vendit i ka munguar një strategji e mirëfilltë për rritjen e cilësisë së ajrit.

Sipas tij, përdorimi i madh i makinave, mos gjelbërimi i mjaftueshëm, ngrohja me qymyr e shumë faktorëve tjerë ka bërë që cilësia e ajrit në Kosovë të jetë i një cilësie tepër të keqe.

“Në Kosovë ka munguar një strategji e mirëfilltë e krejt zhvillimit, sidomos industrisë së ndërtimit që është energji miqësore, që kursen energji, i orienton edhe amvisëritë por edhe banimit, në radhë të parë energjisë që është më e pastër, mungesa e sistemeve të ngrohjes qendrore, ngrohjeve që janë më lëndë të parë më miqësore ndaj ajrit në këtë rast po ashtu shkakton vështirësi të mëdha. Kuptohet pastaj edhe gjendja në komunikacion që po them ashtu, një gjendje e rënd ekonomike e bënë të vështirë zhvillimin e alternativave tjera të transportit kur përdorimi i makinave është i nivelit të jashtëzakonshëm”, tha Haradinaj.

Megjithatë, kreu i ekzekutivit tha se ka edhe lajme të mira, pasi kanë planifikuar investime në “Kosovën B” në filtra dhe në proceset tjera që janë shkaktarë të ndotjes.

Duke qenë se cilësia e ajrit nëpër qytete është më e madhe, Haradinaj shtoi se sot u marrin lakmi atyre që jetojnë në zona rurale. “Sot u marrim lakmi atyre që banojnë në vendbanimet rurale, dikur është lakmuar të banohet në qytete, në kryeqytet, por sot sa i përket cilësisë së ajrit lum ata që jetojnë në vendbanime rurale dhe në zonat tjera sepse është një dallim i madh në cilësi, që e ndjejmë. Unë vet vij nga Dukagjini atje, besoni se e hetoj kur i ofrohem rrafshit apo bjeshkëve atje e hetojmë dallimin në ajër me Prishtinën”, u shpreh Haradinaj.

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, theksoi se cilësia e ajrit dhe ndotja e tij nuk është shqetësim vetëm për Kosovën, por është shqetësim me karakter rajonal e global.

Ajo shtoi se duke parë gjendjen aktuale të cilësisë së ajrit, e me theks të veçantë në pjesën qendrore të Kosovës ku janë regjistruar viteve të fundit tejkalime të normave të lejuara, e kanë vënë si prioritet të ministrisë dhe qeverisë në tërësi. “Rritja e ndotjes së nivelit të ajrit vjen si pasojë e shkarkimeve të ndotësve në ajër nga industria, transporti, ekonomitë familjare dhe bizneset e vogla gjatë këtij sezoni, duke i shtuar këtu edhe kushtet meteorologjike jo të favorshme. Kjo situatë ka sjell nevojën për trajtimin e veçantë të këtij problemi dhe vendosjen e kësaj çështjeje në prioritet të MMPH-së por edhe të Qeverisë së Kosovës”, tha Reshitaj.

Ndërsa, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, përkujtoi se termocentralet Kosova A dhe B janë ndotësit me të mëdhenj të ajrit aktualisht.

“Energjia me Termocentralin Kosova A dhe Kosova Be, janë ndotësit më të mëdhenj për momentin, por ndërkohë energjia është edhe shtylla kryesore e zhvillimit ekonomik, pra jemi në një konflikt mes përfaqësimit të zhvillimit ekonomik dhe ndotjes së ambientit. Për fat të keq Kosova rreth 97 për qind të energjisë për momentin e gjeneron me linjit, aty ku rrjedh edhe burimi i ndotjes. Mirëpo, pa marr parasysh kësaj, për fat të mirë, janë duke u ndërmarrë hapa të ndryshëm për t’u rregulluar kjo punë. Kemi disa projekte që janë në këtë pjesë”, theksoi ai.

Sipas planit, ministri Lluka tha se mbyllja e termocentralit “Kosova A” do të bëhet kur të fillojë punën Termocentrali “Kosova e Re”. /Telegrafi/