Dikur një nga portierët më të mirë në botë, gjermani Marc-André ter Stegen mund të largohet nga Barcelona që gjatë këtij muaji.

Pas dëmtimit të rëndë në gju që pësoi vitin e kaluar, situata e tij në “Camp Nou” ka ndryshuar ndjeshëm. Nën drejtimin e trajnerit Hansi Flick, ter Stegen ka rënë në plan të dytë, duke humbur rolin e titullarit.


Kjo u bë edhe më e dukshme pas ardhjes së Joan Garcias, i cili po kalon formën më të mirë të karrierës dhe është shndërruar në zgjedhjen kryesore në portën e Barcelonës.

Sipas mediave spanjolle, ter Stegen po shqyrton seriozisht mundësinë e largimit, me synimin për të ringjallur karrierën dhe për të siguruar një vend në Kombëtaren e Gjermanisë për Kupën e Botës që po vjen.

telegrafi.com

Girona përmendet si një nga destinacionet më të mundshme për portierin 32-vjeçar.

Ter Stegen iu bashkua Barcelonës në vitin 2014 dhe ka zhvilluar gjithsej 291 paraqitje në La Liga, duke qenë për vite me radhë një nga shtyllat e ekipit katalanas.

Sipas raportimit të Goal, portieri gjerman beson se gjashtë muaj me paraqitje të rregullta në “Estadi Montilivi” do t’i mjaftonin për të rikthyer vëmendjen e trajnerëve të Kombëtares dhe për të fituar një ftesë në radhët e “Die Mannschaft”. /Telegrafi/

telegrafi sport app