Mosmarrëveshja mes Marc-Andre ter Stegen dhe Barcelonës po bëhet gjithnjë e më serioze. Sipas raportimeve të RAC1, Shoqata e Futbollistëve Spanjollë (AFE) i është drejtuar portierit gjerman për ta siguruar se klubi nuk ka bazë ligjore për ta ndëshkuar atë në lidhje me situatën aktuale.

Kjo mbështetje vjen në një moment kur tensionet mes palëve kanë arritur kulmin. Më herët u raportua se Barcelona po shqyrton mundësinë ta sanksionojë Ter Stegen për refuzimin për të nënshkruar një raport zyrtar dëmtimi, i destinuar për Komisionin Mjekësor të La Ligës, siç raportoi Mundo Deportivo.


Klubi katalanas këmbëngul që dëmtimi i Ter Stegen duhet të klasifikohet si mungesë afatgjatë (mbi katër muaj), gjë që do t’u mundësonte atyre të përdornin 80% të pagës së tij për të regjistruar Joan Garcia si zëvendësues.

Megjithatë, vetë Ter Stegen ka deklaruar se pritet të rikuperohet për vetëm tre muaj, duke kundërshtuar versionin e klubit dhe duke penguar kështu procesin e regjistrimit. Ai deri më tani ka refuzuar të takohet me drejtuesit e klubit për të zgjidhur këtë çështje.

Presidenti Joan Laporta kishte planifikuar një takim me Ter Stegen në zyrat e klubit, por portieri nuk është paraqitur – dhe aktualisht askush nuk e di se ku ndodhet ai. Shokët e skuadrës thuhet se janë befasuar kur kanë mësuar për refuzimin e tij për të nënshkruar dokumentet mjekësore për La Ligën.

Nëse nuk gjendet një zgjidhje e shpejtë, Barcelona do të mbetet e bllokuar – si në aspektin financiar, ashtu edhe në atë sportiv – duke mos qenë në gjendje të vazhdojë me planet për regjistrimin e lojtarëve. /Telegrafi/

telegrafi sport app