Ish-teniserja e renditur në top 50 flet hapur për operacionin estetik dhe thekson se ndryshimi nuk do ta pengojë në karrierën sportive

Teniserja franceze Océane Dodin, e cila në vitin 2017 u rendit në pozitën numër 46 në botë sipas WTA, ka rrëfyer publikisht se ka kryer një ndërhyrje për zgjerim gjoksi gjatë kohës kur ishte jashtë fushës për shkak të një problemi të veshit që i shkaktonte marramendje.


Lajmin e publikoi e para gazeta britanike The Sun, duke e cilësuar Dodin si rastin e parë të deklaruar hapur të këtij lloji në tenis.

“Vendosa ta bëj tani, sesa të pres pas mbarimit të karrierës kur të jem 40 vjeçe. Nuk kam aspak turp për këtë", tha Dodin në një intervistë për RMC Sport, përcjell Telegrafi.

Ajo shtoi se gjoksi i saj tani është dukshëm më i madh, por kjo nuk do ta pengojë në lojë:

“Nuk janë të vegjël, por me mbështetje të përshtatshme nuk do të më pengojnë. Shumë më thanë se nuk do të mund të luaja normalisht, sikur të kisha dy shalqi. Por kam folur gjatë me kirurgun tim dhe ai më ka siguruar se nuk do të kem asnjë problem”, ka thënë Dodin.

Teniserja franceze e ndau lajmin edhe me ndjekësit në Instagram, ku iu përgjigj kritikëve me një dozë humori. Portali francez WeLoveTennis e citoi duke thënë: “Nëse kam kaluar nga gjoksi i vogël në të madh, është sepse kam bërë një operacion, nuk jam rritur me pleh”.

Aktualisht Dodin është rreth pozitës numër 363 në renditjen botërore të WTA, por mbetet e vendosur që ky ndryshim nuk do ta ndalë. Përkundrazi, sipas saj, e ka bërë të ndihet më mirë me trupin e vet dhe më e motivuar për t’u rikthyer fuqishëm në fushë.

/Telegrafi/