LAJMI I FUNDIT:

Telegrafi me minatorët në horizontin e 11-të të Minierës “Trepça”, aty ku nxirrej argjendi

Kosova një vend me pasuri natyrore, njihet për mineralizimet e plumbit dhe zinkut. Ato gjenden në veri të saj, në “Trepçë”, në minierën në Stantërg të Mitrovicës.

“Me Fat!”, është mbishkrimi në murin mbi derë, si urim për secilin që hyn brenda horizonteve të minierës.


Hyrja për në Minierën “Trepça”

Gjatë hyrjes së ekipit të Telegrafit në minierë, aty ishin të pozicionuar punëtorët e sinjalizimit të ashensorit. Ata merrnin dhe jepnin sinjalin për të dërguar dhe ngritur lart me ashensor minatorët, por edhe vizitorët.

Zbritja me ashensor në thellësi të minierës ishte sfiduese, por edhe emocionuese. Ndriçimi depërtonte në fillim të minierës, përkatësisht në horizontin e 11-të.

Minatorët në ashensor

Më pas, shoqërues – i ambientit të horizonteve të minierës – ishte vetëm errësira dhe disa llamba ndriçuese. Lagështia ta zinte frymën, ndërsa zhurma e makinerive kumbonte ngado. Horizonti i 11-të ndahej në tre drejtime: qendra, veriu dhe jugu.

Gjatë ecjes rruga ishte e mbuluar me ujë dhe baltë, gjë që vështirësonte edhe ecjen. Një grup minatorësh ishin në një zonë jo fort të rehatshme, e cila sipas tyre ishte me rrezikshmëri të lartë, por më me vlerë.

Duheshin një palë shkallë për ngjitje, për t’u futur tek pjesa ku minatorët shponin tokën e pasur me minerale, për ta mbushur më pas me municion, të cilat i detonin në fund të orarit të punës.

Fytyrat mezi ua dalloje nga errësira që mbretëronte rreth 800 metra nën tokë. Njëri nga minatorët, i cili ishte mbuluar krejtësisht nga djersët dhe pluhuri i dheut të zi, është Arben Halili.

Ai është nga fshati Cerajë dhe aty punon që 10 vjet, për Telegrafin tha se puna nuk është e lehtë, mirëpo ia dalin disi.

Arben Halili, minator

Ai tregoi se aty ku është duke punuar, është punishtja me e rrezikshme si dhe më me vlerë e horizontit 11-të, pasi siç tha ai pretendohet se aty ka argjend.

“Vallai s’di ku me shku më zor, 800 metra teposhtë, bëje hesap. As që më ka shku në mend, që do punoj minator. Baba ka dal në pension, e mandej hyra unë. Këto mure me minerale i shpojmë. Në fund të ndërrimit i mbushim me municion, mandej i ndezim. Kur t’i ndezim poshtë, lokomotiva vjen dhe i bartin. Për këtë punishte flitet që ka argjend. Është ndër punishtet më të mira, por është shumë e rrezikshme”, tha ai.

Gjatë bisedës me të, tregoi se në një ndërrim në këtë punishte punojnë tre minatorë.

“Tre minatorë punojmë në këtë punishte gjatë një ndërrimi. Kjo xehe ka vlerë të madhe”, tha ai duke shtuar se gjatë ndërrimit i shpojnë deri në 20 vrima dhe më pas i mbushin me ekspoliziv, të cilin e detonojnë nga një largësi e konsiderueshme. “Ne shpojmë deri 20 vrima, ato vrima i mbushim me municion dhe i ndezim”.

Ai tha se xehet i bartin me një makineri të cilën e quajnë ‘kave’, deri tek vendi i destinuar për të dal në sipërfaqe, me anë të ashensorit.

“Mandej kur vjen ndërrimi i dytë merren me pjesën që kemi detonu ne”, tha minatori.

Halili tregoi se cila do të ishte mosha ideale për minatorin që të pensionohej.

“Me mujt kisha dal në pension si 50 vjeçar. Sa më gjatë këtu aq më e shkurt është jeta. Shiko çfarë pluhuri ka këtu, çfarë kushtesh janë”, tha tutje ai.

Asllan Osmani, mbikëqyrës në horizontin 11, tek rezervuarët e ujit ku bëhet pastrimi punon nga viti 1983 në minierën e Trepcës, me një pauzë 10 vjeçare, në kohën kur pothuajse të gjithë punëtorët shqiptarë lanë punën, në vitin 1990, për të filluar sërish punën pas luftës së fundit në Kosovë.

Asllan Osmani, minator

Ai tha se aktualisht kushtet në të cilat punojnë brenda minierës Trepça janë të vështira, duke përmendur kështu makineritë e vjetra, pompat, etj.

“Me vështirësi boll, po mirë është duke ec.  Kushtet janë jashtëzakonisht të rënda. Makineritë e vjetra, pompat e vjetra, kemi mjaft defekte e kështu me radhë. Këtu jam prej vitit 1983 . Në vitet ’90-ta na kanë larguar nga puna. Pas lufte kam filluar prapë”, tha ai.

Ndërsa tha se qëndron mirë me shëndet edhe pse i ka pas disa lëndime e fatkeqësi gjatë punës.

“Kam pas disa lëndime e fatkeqësi në punë, por jo të rënda. Lëndim të gjurit e këmbës, por mirë….”, u shpreh ai.

Ndërsa gjeologu i minierës, Nehat Strana, i cili punon që 10 vjet, tha se kryesisht bëjnë hulumtimin e trupave të rinj xeherorë.

“Jam me profesion gjeolog. Ne bëjmë hulumtimin e xehes, hulumtimin e trupave të ri xeherorë, që në vazhdimësi hulumtojmë dhe gjejmë në vazhdimësi të xehes”, tha ai.

Nehat Strana, gjeolog

Gjeologu Cana tha se në këtë minierë kryesisht gjendet me shumicë koncentrati i plumbit dhe zinkut.

“Kryesisht prodhojmë koncentrate të plumbit dhe zinkut. Puna është e vështirë në minierë, por ia dalim. Në minierë jam që 10 vite e në këtë profesion jam që dy vite. Fillimet si çdo herë janë të vështira, por ia kemi dalë. Ka pas shumë momente të vështira kur kemi thënë që sot do të jetë dita e fundit, por çdo herë ia kemi dalë… Pritjet e mia janë që shteti, Qeveria të bëjnë investime në Trepçë dhe t’i jepet një drejtim i zhvillimit Trepçës dhe mos të jetë kështu siç ka qenë deri pas lufte e deri më tani”, u shpreh Strana.

Sabri Bejta, udhëheqës i ndërrimit të transportit kryesor, tha se puna është duke shkuar mirë, por mundet dhe më mirë, pasi, sipas tij, ka rënie të prodhimit kohëve të fundit.

Sabri Bejta, udhëheqës i ndërrimit të transportit kryesor

“Më herët ka qenë më mirë, sepse ka rënie kohëve të fundit. Rënie e prodhimit, mungesë e punëtorëve, e mjeteve, etj. Këtu i kam 10 deri 12 minatorë. Si të vij këtu duhet t’i çojmë nëpër vende të punës. I kemi skipat që janë vertikal dhe e kemi transportin horizontal. Duhet t’i mbikëqyrim këto vende. Problemi është që kemi pak punëtorë, e duhet t’i mbulojmë për aq sa duhet. Por mirë, me pak punëtorë puna është e mirë. Ka raste që kërkojnë ndihmë. Shkoj dhe vet nëse është nevoja e ju ndihmoj”, u shpreh ai.

Zahir Bala, minator i ri

Ndërsa, minatori i ri Riza Baliu, i cili për herë të parë ka zbritur poshtë në minierë, tha se i pëlqeu vendi i punës.

“Kam filluar që një muaj. Për herë të parë jam lëshuar sot këtu. Me thënë të drejtën ishte një ndryshim pak, por nuk po shoh frikë diçka. Po më pëlqen. Kur e dinim ku po hyjmë e çka kemi me bo, s’mu duk keq. Na kanë caktu tek transporti, ku bartet e ku derdhet xehja. Për fillim është mirë”, tha ai.

Riza Baliu, minator

Një minator tjetër i cili ka një përvojë 11 vjeçare në Minierën Trepça, Riza Baliu u shpreh se frika e vështërsia në fillimet e tij kanë ekzistuar, por tashmë tha që janë mësuar me punën në nëntokë.

“Vështirë, frikë po vallai. Po tash jemi mësu, më mirë na duket me punu brenda, se jashtë. Kemi pas vështirësi…Vetëm njëherë kam rënë nga vagonat, e asnjëherë tjetër s’jam lëndu. I bëjmë vizitat te mjeku, një herë a dy në muaj”, tha ai.

Por, ajo që nuk i pëlqen Baliut është ushqimi.

“Ushqimi është shumë i dobët. Më shumë e marr bukën nga shtëpia. Ushqimi është katastrofë, kushtet janë tmerr. Na mbytën në ushqim, një ‘argetë’, me atë duhet me hëngër bukën. Më së shumti do djath nga shtëpia e marr, e kështu… . 220 euro i kemi pas më shumë, dhe ato na i kanë heq që tre muaj. Ata kanë thënë për shkak të xehës që s’po del, e prodhimi gjithmonë ka dalë i mirë“, tha ai.

Muzeu i Kristaleve "Trepça" i pasur me mineralin "Vivianit" - ndër më të veçantët në botë
Lexo po ashtu Muzeu i Kristaleve "Trepça" i pasur me mineralin "Vivianit" - ndër më të veçantët në botë

Gjatë punës ai thotë se kanë atmosferë të mirë kolegiale.

“Jemi gjashtë anëtarë në shtëpi, punoj vetëm unë. Fal zotit i kanë sjell dhe këta minatorë të rinj. Mirë punojmë, bëjmë hajgare ia nisim me punu, çdo gjë është në rregull. Shumica nganjëherë bëjmë hajgare sa me kalu kohën, se tamam me shku me atë nervozë ajo është tmerr”, ka thënë ai.

E pas bisedës që zhvilluan me minatorin Baliu, ekipin e Telegrafit minatorët e përcollën për në ashensorë, për të dal në sipërfaqe të tokës, ku zhvilluan dhe një bisedë tjetër me inxhinierin e makinerisë, Sami Uka.

Uka tregoi se makineritë e vjetruara ua vështirsojnë punën.

Inxhinieri i makinerisë, Sami Uka

“Për momentin operojmë me makineri të vjetruara. Kërkesat për furnizim të pjesëve i bëjmë për çdo vit të planifikimit vjetor, por me furnizim kemi pak vështirësi. Tash edhe kanë godit çmimet. Makineria është e vjetruar. Problem tjetër është edhe se një numër i punëtorëve është pak para pensionit. D.m.th. gjenerata e fundit që pensionohet, tjerët janë të rinj të cilët e kanë mësu punën te makineritë që kryhen këtu. Nuk kemi problem me punëtorë, por vetëm me pjesën makinerike, e cila është tepër e vjetruar. Problem kryesor paraqet dhe në ngecje të prodhimit, pasi nuk mund të bartim aq sa duhet”, theksoi Uka.

Ndërsa, udhëheqësi i Minierës “Trepça” në Stantërg, Behxhet Vinarci për Telegrafin tregoi për vështirësitë të cilat përballen në menaxhimin e saj.

Ai tha se momentalisht nuk e kanë një pozitë shumë të mirë pasi kanë mungesë të investimeve.

Vinarci tregoi se për momentin janë 675 punëtorë, Miniera bashkë me Flotacion.

“Një numër i madh i minatorëve kanë shkuar në pension viteve të fundit. Afërisht 50 punëtorë kanë shkuar në pension të rregullt. E kemi një udhëzim nga bordi menaxhues për pension të parakohshëm të punëtorëve të cilët dalin në pension deri në vitin 2026. Deri më tani para përfundimit të afatit, e kemi një numër të konsiderueshëm të lajmërimit prej 53 punëtorëve dhe një numër i konsiderueshëm që kanë kërkuar ta ndërpresin kontratën e punës sipas ofertës që jep bordi mbikëqyrës për marrjen e 24 pagave dhe shkëputjes së vullnetshme të marrëdhënies së punës”, tha ai.

Udhëheqës i Minierës “Trepça” në Stantërg, Behxhet Vinarci

Tutje Vinarci theksoi se edhe pse i kanë pranuar në punë disa punëtorë, konkursi i ka befasuar.

“Para dy viteve ka qenë kur kemi pranuar 150 punëtorë dhe para tre muajve ka përfunduar konkursi i pranimit të 180 punëtoreve të rinj. Konkursi na ka befasuar pasi kemi prit që do të lajmërohen një numër i madh për punësim, por nuk ka qenë më shumë se 1,300 apo 1,400 kandidatë për 180 vende të punës. Një prej arsyes janë kushtet e  punës, pasi gjeneratat e reja janë pak më të ndjeshme. Arsyeja tjetër është largimi masiv i të rinjve në shtetet perëndimore”, theksoi ai.

Udhëheqësi i Minierës tha se dy vitet e fundit prodhimi është në rritje.

“Kemi rritje të dukshme të prodhimit, 30-35 për qind. Mirëpo, kemi ngecje në investime dhe në avancimin përgatitor, të cilat duhet t’i trajtojë me kujdes. Kemi ngecje në investime që është pengesa kryesore, në teknologji të re, në trajtimin e prioriteteve të kësaj ndërmarrje. Mekanizimi është në shkatërrim e sipër nga vjetërsia…”, tha ai duke shtuar se kanë edhe probleme financiare.

“Çdo vjet e bëjmë një plan të investimeve për të gjitha ato makineri. Kemi vështirësi financiare, nuk kemi të hyra tjera pos atyre vetanake. Edhe pse qeveria çdo vit ndan mjete për investime kapitale për zhvillim të minierës dhe hapjes së horizonteve të reja… Por, kemi ngecje në furnizim. Procedurat e furnizimit, prokurorimit dhe ato administrative po na e vështirësojnë rrugëtimin tonë deri te arritja me kohë e këtyre investimeve. Kështu që ka raste kur nuk kemi ofertues fare. Gjashtë muaj e fundit kemi pas probleme me ofertues dhe kjo na shkakton problem të madh në zëvendësimin e pajisjeve të vjetra me ato të reja”, ka thënë Vinarci.

Ndërsa sa i përket xehes, ai tha se e shesin si koncentrat, por jo si produkt final.

“Ne e shesim si koncentrat, xehja shkon në fabrikën e pasurimit, apo flotacionit dhe aty bëhet ndarja e mineraleve. Aty janë plumb-zinku, argjendi, këto minerale kryesore, të cilat ndahen dhe pastaj shiten nëpërmjet ofertuesve ndërkombëtarë”, tha ndër të tjera, udhëheqës i Minierës “Trepça” në Stantërg, Behxhet Vinarci. /Telegrafi/ 

Në trend Lajme

Më shumë

"Serbia po frikëson dhe shantazhon qytetarët e Kosovës"- Qeveria shpalos detaje tjera nga biseda telefonike Kurti-Macron

Lajme
Ndërtimi i tunelit në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë, në fazën e prokurimit - Rama publikon pamjet

Ndërtimi i tunelit në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë, në fazën e prokurimit - Rama publikon pamjet

Komunat
Votoi pro Kosovës në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, kërcënohet deputeti boshnjak

Votoi pro Kosovës në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, kërcënohet deputeti boshnjak

Lajme
Numri i serbëve në Kosovë po zvogëlohet, por jo për shkak të “terrorit shqiptar”, Knaus: Pretendimet e tilla të Vuçiqit janë mashtrim

Numri i serbëve në Kosovë po zvogëlohet, por jo për shkak të “terrorit shqiptar”, Knaus: Pretendimet e tilla të Vuçiqit janë mashtrim

Lajme
Dokumentari i televizionit Rai 3, reagon Rama: Sulmohet Meloni duke hedhur baltë mbi Shqipërinë

Dokumentari i televizionit Rai 3, reagon Rama: Sulmohet Meloni duke hedhur baltë mbi Shqipërinë

Lajme
Gazetari britanik tregon nëse mund të ketë luftë në Kosovë dhe Bosnjë

Gazetari britanik tregon nëse mund të ketë luftë në Kosovë dhe Bosnjë

Siguri
Kalo në kategori