LAJMI I FUNDIT:

Teatri jeton i vdekur, poezia vdesë duke jetuar

Teatri jeton i vdekur, poezia vdesë duke jetuar

Nga: Agron Gërguri

Poezia dhe teatri takohen te ndjenja e pashpjegueshme e prezencës dhe përfshirjes, si një moment magjik i identifikimit me dëshirën dhe të bukurën që të shtyn në reflektim emocional. Poezia e “shfrytëzon” teatrin si hapësirë, derisa poezia bëhet shprehje e teatrit.


Kjo simbiozë ka nisi me antiken e Eskilit, Sofokliut, Euripidit e Aristofanit, ka vazhduar edhe me klasikët botëror – Shekspirin, Molierin … e deri tek tanët, si Gjergj Fishta, Teki Dervishi dhe Xhevdet Bajraj

Ka raste kur përkundër mendimit se poezia nuk na duhet më si e tillë, siç e përkufizon Antonin Arto, ngase tingëllon vetëm në veshët e atij që shkruan, megjithatë, duke qenë për shkurtim të tekstit për shfaqjet teatrore, ai i nënshtrohej thënies poetike që konsiston në kapërcimin e kohës dhe kondensimin e veprimit në favor të kuptimit të fjalës të cilën e ushqen poezia. “Teatri mund të ekzistojë vetëm atëherë kur në të vërtetë fillon e pamundshmja, atëherë kur poezia ndodhë në skenë dhe ngrohtë i ushqen simbolet e realizuara të cilat sikur lirohen nga robërimi dhe shfaqen si fotografi të jashtëzakonshme ku do të dëshironim (apo ku do të duhej) të ishim”.

Duke u gjendur në këtë marrëdhënie përfshirëse thuaja organike, teatri dhe poezia janë arte të pazëvendësueshme me diçka tjetër.

Ai momenti magjik i së tashmes, si përjetim, nganjëherë i pashpjegueshëm, sikur përcakton të vërtetën e këtyre dy arteve që lidhin përjetimin dhe veprimin si veçanti unike; provokojnë emocionin, miklojnë ndjenjat duke e nusëruar dashurinë si art i të jetuarit.

Është ajo hapësira “pritëse” midis asaj që jemi dhe asaj që duam të jemi (ku me sukses operoj regjisori novator polak, Grotovski) në kërkim të shprehjes teatrore dhe kuptimit apo rikuptimit të hapësirës teatrore (lexo jetësore) që piketon vetë njeriun, derisa rituali e poezia vijnë si kërkim permanent i vetvetes dhe raporteve me tjerët, natyrën, kozmosin e deri te raporti final i jetës me vdekjen.

Andaj, teatri jeton i vdekur, derisa poezia vdes duke jetuar. Midis kësaj jetë-vdekjeje rri njeriu me frymën e Beketit, shkurt e gjatë matur me poezi e teatër.