LAJMI I FUNDIT:

Do të zgjerohet rruga Podujevë-Prishtinë

Do të zgjerohet rruga Podujevë-Prishtinë

Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, së bashku me kryetarin e Komunës së Podujevës, Agim Veliu, zëvendësministrat Hanefi Muharremi dhe Fehmi Mujota si dhe disa deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës përuruan rikonstruktimi e rrugës regjionale R 126, segmenti Pollatë – Demë Ahmetaj te Ura në fshatin Sllatinë dhe fillimin e punimeve për zgjerimin e rrugës Nacionale N 25, segmenti Rreth Rrotullimi Besi – Podujevë, Loti 5, te kyçja e parë për Podujevë nga drejtimi i Prishtinës.

Ministri Zharku uroi kryetarin Veliu dhe banorët e komunës së Podujevës për këto projekte me rëndësi të madhe, të cilat po realizohen nga Ministria e Infrastrukturës.


“Sot është një ditë e madhe për banorët e Podujevës sepse po fillojmë një ndër projektet më të mëdha në Republikën e Kosovës. Është projekti i zgjerimit të rrugës Podujevë-Besi deri në Prishtinë. Sot po fillojmë vetëm segmentin e parë, kurse segmentet e tjera do t’i vazhdojmë në muajt në vijim. Kjo rrugë do të ketë katër korsi, trotuar, ndriçim që do të thotë se po ndërtojmë një rrugë me standarde evropiane.

“Ne, sot, së bashku me kryetarin, zëvendësministrat, deputetët e pranishëm dhe bashkëpunëtorët e tjerë inauguruam përfundimin e punimeve të rrugës Pollatë-Reçicë-Demë Ahmetaj, një projekt me gjatësi prej 8.7 kilometrash dhe me vlerë rreth 1.5 milionë euro. Ndërsa projekti tjetër, segmenti i parë, ka një gjatësi prej 4.3 kilometrash dhe ka vlerën prej 3.9 milionë eurosh. Fazat e tjera do t’i vazhdojnë në muajt në vijim”, theksoi ministri Zharku.

Ndërsa kryetari Veliu e falënderoi Ministrinë e Infrastrukturës për investimet e bëra në infrastrukturën e komunës së Podujevës dhe uroi banorët e kësaj komune për këtë ngjarje shumë të veçantë.

“Unë ju dëshirojë mirëseardhje të gjithë të pranishmëve për këtë ngjarje shumë të veçantë për komunën e Podujevës dhe banorët e saj. Sot, po fillon zgjerimi i rrugës, projekt që ne si qytetarë, banorë, por edhe si udhëheqje e Komunës e kemi pritur gjatë. Me këtë rast e falënderoj Qeverinë dhe Ministrinë e Infrastrukturës për mjetet e ndara. Besoj se me rregullimin e kësaj rruge do të krijohen kushte më të mira për qarkullim, do të zvogëlohet numri i aksidenteve me fatalitet që fatkeqësisht në këtë rrugë ndodhin çdo vit, por do të kurset koha, mjetet e financiare dhe do të lehtësohet qarkullimi i njerëzve, bizneseve etj. Shpresojmë që punëkryesi do t’i kryejë punët sipas kontratës. Urime të gjithëve”, theksoi kryetari Veliu.

Rikonstruktimi i rrugës Regjionale R126, segmenti Pollatë – Demë Ahmetaj dhe zgjerimi i Rrugës Nacionale N25, segmenti Rreth-Rrotullimi Besi-Podujevë, Loti 5 do të investohen nga Ministria e Infrastrukturës.

Përveç këtyre projekteve Ministria e infrastrukturës gjatë këtij viti në Komunën e Podujevës do të investojë edhe në, Asfaltimi i rrugës për nevojat e burgut të sigurisë së lartë në Gërdovc – Podujevë, Asfaltimi i rrugëve në qytetin e Podujevës, Asfaltimi i rrugëve në fshatrat: Dobërdol, Majac, Merdar, Kushevicë, Batllavë-Dyz dhe Herticë-Surdullë dhe Asfaltimi i Rrugës Ballaban – Orllan. /Telegrafi/