eksperti-banner

Tre persona janë lënduar si pasojë e një përleshjeje që ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në lagjen Matiqan të Prishtinës, ku dy prej tyre kanë mbetur të plagosur nga arma e zjarrit.

Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Papa Gjon Pali”, ndërsa sipas informacioneve fillestare, incidenti ka nisur si një përleshje fizike mes disa personave.


Lidhur me rastin ka reaguar Policia e Kosovës, përmes zëdhënësit për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana.

“Rreth orës 20:00, Policia ka pranuar informatën për një përleshje fizike në mes të disa personave në rrugën ‘Papa Gjon Pali’ në Prishtinë. Njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku sipas informacioneve fillestare tre persona kanë mbetur të lënduar, të cilët janë dërguar për tretman mjekësor. Aktualisht, njësitet relevante policore janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për të sqaruar rrethanat e rastit”, deklaroi Pllana.

Sipas informacioneve të deritanishme, dy persona kanë pësuar plagë nga arma e zjarrit, ndërsa një person tjetër ka marrë lëndime gjatë përleshjes fizike.

Policia ka nisur hetimet për të zbardhur motivet dhe rrethanat e incidentit, ndërsa ende nuk janë bërë të ditura detaje shtesë për gjendjen shëndetësore të të lënduarve apo për personat e përfshirë në rast./Telegrafi/