eksperti-banner

Eksperimenti gjashtëvjeçar me aleancën amerikane

Tash e gjashtë vjet, Kosova po qeveriset nga një narrativë e rrezikshme që po u shitet qytetarëve si patriotizëm, se përplasja me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është “dinjitet”, se këshillat e aleatit kryesor janë “ndërhyrje”, dhe se izolimi diplomatik është “sovranitet”.


Në realitet, nuk është as sovranitet dhe as dinjitet. Është një projekt i rrezikshëm politik mbi një shtet ende të brishtë, i ndërtuar mbi iluzionin se Kosova mund të sfidojë pa pasoja aleatin që e bëri shtet.

Para se të flasim për të tashmen, duhet të flasim për themelin historik që po tentohet të relativizohet ose të harrohet qëllimisht.

Kosova nuk u bë shtet sepse ishte fuqi ushtarake apo ekonomike. Nuk u bë shtet sepse Serbia hoqi dorë vullnetarisht. Ajo u bë shtet sepse në momentin vendimtar të historisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën të ndërhyjnë, duke marrë përgjegjësinë që Evropa për vite me radhë nuk e kishte marrë.

Ky vendim nuk erdhi në vakum. Ai u ndikua nga përvoja tragjike e Bosnjës dhe gjenocidi i Srebrenicës në vitin 1995, ku mbi tetë mijë boshnjakë u masakruan në zemër të Evropës, ndërsa bota demokratike dështoi të vepronte me kohë. Kur në Kosovë nisi spastrimi etnik dhe ndodhi Masakra e Reçakut, u bë e qartë se një tragjedi e re nuk mund të lejohej të përsëritej. Kjo ndërgjegje e rënduar ndërkombëtare, e kombinuar me vendosjen politike dhe ushtarake të ShBA-së dhe NATO-s, çoi në ndërhyrjen e vitit 1999.

Por, ky nuk ishte vetëm vendim shtetëror. Ishte edhe rezultat i një pune të gjatë e të palodhur të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara, e cila për vite me radhë loboi në Kongres dhe institucione amerikane për ta mbajtur çështjen e Kosovës në qendër të vëmendjes. Ky lobim, së bashku me rezistencën e UÇK-së në terren dhe vendimin amerikan për ndërhyrje, formuan trekëndëshin që i solli Kosovës liri.

Nga Rambujeja te bombardimet e NATO-s, nga administrimi ndërkombëtar te procesi i Vjenës dhe Plani i Ahtisaarit, e deri te shpallja e pavarësisë në 2008, në çdo etapë ekzistenciale të shtetit të Kosovës, faktori vendimtar ka qenë ShBA-ja dhe aleanca perëndimore. Pa këtë kombinim lufte, diplomacie dhe mbështetjeje amerikane, Kosova nuk do të ekzistonte si shtet.

Kosova u ul në tavolinat e mëdha të vendimmarrjes vetëm falë Amerikës. Në një botë të egër, ku përplasen interesat e fuqive të mëdha dhe ku të vegjlit zakonisht shkelen ose përdoren si monedhë kusuri, një shtet i vogël si ne nuk do të arrinte kurrë as të dëgjohej, e lëre më të faktorizohej pa këtë mburojë diplomatike.

Sot, kjo aleancë trajtohet me një lehtësi të rrezikshme.

Gjashtë vjet qeverisje kanë prodhuar një model ku përplasja me Amerikën është shitur si fitore politike, kritika si “sulm ndaj sovranitetit”, dhe distanca nga aleati kryesor si “pavarësi më e madhe”. Në vend të forcimit të shtetit përmes partneritetit strategjik, është ndërtuar një logjikë e rrezikshme e testimit të durimit të atyre që historikisht kanë qenë garantuesit e ekzistencës sonë.

Kulmi i kësaj qasjeje u pa në trajtimin e projekteve strategjike energjetike, veçanërisht gazit amerikan.

Për një vend që varet nga importi i energjisë, që përballet çdo vit me kriza furnizimi dhe që paguan çmime të larta për stabilitet energjetik, refuzimi ose zvarritja e projekteve të gazit amerikan nuk është vetëm gabim ekonomik. Është gabim strategjik me pasoja afatgjata.

Sepse, gazi amerikan nuk është thjesht energji. Është ankorim gjeopolitik. Është lidhje direkte me interesat strategjike të Shteteve të Bashkuara në rajon. Dhe, në politikën ndërkombëtare ekziston një logjikë e thjeshtë: sa më shumë interesa amerikanë të ketë në një vend, aq më e madhe është vëmendja, mbrojtja dhe angazhimi i saj në atë vend.

Të refuzosh është të dobësosh vetë pozitën tënde ndërkombëtare në momentin kur bota është e shpërqendruar nga Ukraina, Lindja e Mesme dhe rivaliteti global.

Edhe më absurde bëhet situata kur një qeveri që ka kaluar gjashtë vjet në pushtet pa përmbyllur projekte bazike infrastrukturore, pa rezultate të prekshme në terren dhe me një bilanc të dobët zhvillimor, i lejon vetes të japë leksione Shteteve të Bashkuara - për energji, ekonomi dhe rend ndërkombëtar. Ky kontrast nuk është shenjë vizioni. Është shenjë shkëputjeje nga realiteti.

Kujt po i çojmë ujë në mulli me këtë qasje? Kujt i intereson më së shumti largimi i Kosovës nga Amerika? Përgjigjja është e qartë: Serbisë. Me vetëdije apo pa vetëdije, koha do ta dëshmojë, por që Beogradi do të përfitojë nga ky izolim dhe nga refuzimi i gazit amerikan, kjo është e qartë dhe e pastër si kristali. Çdo çarje mes nesh dhe Uashingtonit nuk është sovranitet, por një dhuratë për Serbinë, e cila mezi pret që Kosova të mbesë e vetme në vakum diplomatik.

Sepse, Kosova nuk është e fortë përballë Amerikës. Kosova është e fortë për shkak të Amerikës. Dhe, çdo politikë që e harron këtë fakt nuk është patriotizëm. Është lojë me themelet e një shteti që nuk e ka luksin të gabojë.