Kafe në lindje të diellit, shijimi i lindjes së tij, fotografimi, ushqimi i thjeshtë, shëtitje në natyrë, peshkim dhe bjeshkatari, varësisht nga destinacioni i tyre. Kështu duken fundjavat e Ana Janevskas dhe Nenad Llazarovit, të rinjve nga Maqedonia që udhëtojnë nëpër Maqedoni me furgonin e tyre, të cilin e kanë rregulluar vetë.

Ata thonë se bukuria e shëtitjes me furgon është se asnjë ditë nuk është e njëjtë. Thuajse çdo ditë zgjohen në vend të ndryshëm, ndërsa natyra i pret me ngjyra dhe bukuri të ndryshme.

Ana dhe Nenadi janë kampistë me përvojë, dhe furgoni është vetëm një përmirësim i jetës së tyre në kamping.

Reklama

“Duke qenë se ne shpesh, por shkurt bënim kamp me çadër (1-3 ditë), donim të qëndronim më gjatë në natyrë dhe në të njëjtën kohë të kishim të gjitha kushtet e nevojshme për funksionimin normal. Kështu që ne vendosëm të bëjmë një furgon për kamping, që do të na mundësonte t’i bëjmë të gjitha këto. I gjithë procesi i rregullimit të shtëpisë sonë të re me rrota zgjati rreth dy muaj. Filluam duke hequr gjërat e panevojshme dhe të vjetra nga furgoni, më pas vazhduam me vendosjen e izolimit dhe të interierit”, thotë Ana për “fakulteti.mk”, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Reklama

Për atë se sa kushton një projekt i tillë, ata thonë, varet nga mënyra se si dëshironi të rregullohet furgoni.

Reklama

Madhësia e furgonit u mundëson atyre të kenë të gjitha kushtet elementare, si për shembull shtrat, panel diellor për energji elektrike dhe mini-kuzhinë.

Për shkak se furgoni i tyre është relativisht i ri, deri tani me të kanë udhëtuar në Berovë, Dojran dhe Ponikvë. Destinacionet e tyre të radhës janë Ohri, Prespa dhe Galiçica fantastike, ku shpresojnë të gjejnë pika stacionimi magjike.

Vitin e ardhshëm, ata planifikojnë të zgjerojnë hartën dhe të eksplorojnë jetën e kampit përtej kufijve tanë./Telegrafi/