LAJMI I FUNDIT:

Të respektojmë personalitetin e fëmijës

Të respektojmë personalitetin e fëmijës

Ndjenja e inferioritetit luan rol të madh në formimin e karakterit të njeriut, e posaçërisht të fëmijëve. Shkaqet e shfaqjes së ndjenjës së inferioritetit te fëmijët janë të shumta.

Ajo mund ta ketë burimin e vet ndoshta edhe në disa të meta fizike të cilat nganjëherë bëhen shkak që fëmijët, të po: shteruar, të përbuzur e të fyer nga të tjerët për ato të meta fizike, ta ndiejnë veten të ulët e të fyer. Madje ka raste që bashkëmoshatarët u ngjisin atyre edhe ofiqe të ndryshme fyese, dhe kështu këta emra ironikë u mbeten pastaj për tërë jetën.

Në këtë mënyrë, rrethi më i ngushtë i shokëve bëhet nganjëherë shkaktar që koha më e bukur e fëmijërisë, mu ajo kohë që duhet ta ,kalojë pa kurrfarë brengash, për shkak të këtyre fyerjeve që i bëjnë të tjerët, vjen e bëhet fatkeqësi e madhe, bëhet kohë të cilën e kalon plot hidhërime.


Me fjalë të tjera, fëmija qysh në moshën më të njomë fillon ta ndiejë veten të poshtëruar e të nënçmuar nga bashkëmoshatarët e të formohet tek ai ideja e dyshimit dhe e mosbesimit në aftësitë e veta, transmeton Telegrafi.

Mirëpo, e keqja e madhe është sidomos kur mënyrat fyese, përbuzëse e poshtëruese vijnë nga vetë prindërit e tyre. Qëndrimet mospërfillëse të disa prindërve ndaj fëmijëve shfaqen në forma të llojllojshme.

Disa, duke dashur që të tallen pak me ta, i vënë në shpoti për ndonjë të metë që mund të kenë si p.sh. mosshqiptimi i mirë e i drejtë i disa fjalëve a tingujve nga ana e fëmijëve të vegjël. Dhe kur fëmijët e tyre fillojnë të bërtasin e të qajnë, sepse, preken e fyhen nga talljet e tyre, disa prindërve, për fat të keq, kjo nuk u bën përshtypje, por prapë vazhdojnë t’i tallin e t’i përqeshin të vegjlit e tyre.

Ka gjithashtu edhe disa prindër që i qortojnë e i shajnë fëmijët me lloj-lloj fjalësh e shprehjesh banale, të rënda e të pahijshme, duke u thënë p.sh.: “Hesht, se ti nuk di kurrgjë!”, Mos e prek ti atë punë!”,”Punë fëmijësh!”, ose “Ti je për të ruajtur lopët, ti je për samar!”. etj.

Por ka edhe prindër që e detyrojnë me përdhunë fëmijën të veprojë kundër dëshirës së tij, p.sh. i japin me zor të hajë ushqime, të cilat s’ia ka ënda në atë çast t’i hajë, ose e çojnë në shtrat kohë e pa kohe për të fjetur, vetëm e vetëm që të mos dalë e të luaj; jashtë, ose e zgjojnë më herët sesa duhet dhe kështu e bëjnë fëmijën të derdhë lot pa nevojë.

Përveç kësaj, ka edhe raste kur disa prindër nuk i trajtojnë të gjithë fëmijët e vet njësoj. Nuk mund ta marrim me mend se sa preken e fyhen fëmijët me të meta fizike kur vërejnë se prindërit e tyre duan ndoshta më tepër vëllanë a motrën e shëndoshë e të bukur, ose, nga ana tjetër, kur babai e nëna duan më tepër djalin se vajzën, e thonë: ,,Mos ma prekni e mos ma hidhëroni djalin!” E në qoftë se djali është kanakar “për hasret”, atëherë vaj halli për motrat e tij, sepse disa prindër nuk lejojnë që ti të preket as me pupël. Kurse disa prindër ndër ne shkojnë edhe më larg, sa, kinse duke u tallur, bëjnë edhe këso krahasimesh absurde: “Ju vajzat s’mund të krahasoheni me djemtë” ose “Këtë djalë s’e japim as për njëqind çika” etj.

Këto mënyra veprimi i prekin, i fyejnë dhe i dëshpërojnë shumë shpirtrat e njomë e pa të keq të fëmijëve e aq më tepër vajzat. ‘ Të gjitha këto natyrisht e prekin dhe e dëshpërojnë edhe më tepër fëmijën, e bëjnë t’i dobësohen nervat para kohe, sepse në luftë të përhershme me bashkëmoshatarët dhe prindërit e vet, del gjithnjë i mundur, i shtypur e i nënçmuar; të gjitha këto ia shuajnë e ia ndrydhin iniciativën, nuk e lënë të veprojë siç dëshiron, nuk kanë besim tek ai nuk çmohet e nuk respektohet as puna as personaliteti i tij. Me një fjalë, e nënçmojnë e nuk e përfill askush.

Ja, pra, këtu qëndron burimi kryesor i formimit të ndjenjës së inferioritetit te disa fëmijë. Dhe këto, pa dyshim, nxisin edhe ndjenja të tjera, siç janë ajo e urrejtjes dhe e ahmarrjes ndaj të gjithë atyre që i nënçmojnë, i tallin, i marrin nëpër këmbë.

Duke vepruar në këtë mënyrë ndaj disa fëmijëve, duke i trajtuar ata si të paaftë, të pafuqishëm, të paditur, duke i përqeshur, tallur e poshtëruar pajada, me dashje e pa dashje, duke mos respektuar mendimet e iniciativat e tyre dhe duke mos kërkuar asnjëherë mendimin e tyre për kurrgjë, këta fëmijë rriten e bëhen me karakter të dobët e pa kurrfarë iniciative, bëhen njerëz të përulur, të lëkundshëm e gjithmonë inferiorë ndaj më të fuqishmëve .

Ndërkaq, ajo që e nënçmon dhe e poshtëron fëmijën, që e ul shumë personalitetin e fëmijës më tepërmi, është të qortuarit me fjalë shumë të rënda fyese, e sidomos rrahja, posaçërisht kur ajo bëhet në prani të fëmijëve të tjerë. Aq më tepër është për të ardhur keq nëse prindërit veprojnë kështu me fëmijën e vet edhe në kohën kur ai është më i rritur, në moshën kritike të pubertetit kur në organizmin e fëmijës fillojnë të bëhen ndryshime të dukshme të menjëhershme fiziologjike dhe emocionale, kur është tepër i ndjeshëm, i shqetësuar e si i hutuar.

Mu në këtë moshë qëllon shpesh që fëmija i rritur të preket e të fyhet menjëherë aq tepër, saqë nga dëshpërimi i madh mund të vendosë shpejt e shpejt për gjëra fatale, te cilat kanë pasoja të tmerrshme e lënë vragë që nuk mund t’i harrojnë pastaj prindërit për tërë jetën: merr botën në sy, duke u larguar nga prindërit ose nganjëherë – megjithëse shumë rrallë – ndodh që t’i japë fund edhe jetës së vet në mënyrë mizore. /Telegrafi/