LAJMI I FUNDIT:

Të premten në librarinë “Dukagjini” promovohet romani “Sëmundje dhe Perëndi” i Gëzim Aliut

Të premten në librarinë “Dukagjini” promovohet romani “Sëmundje dhe Perëndi” i Gëzim Aliut

Të premten, më 30 qershor, në orën 19:00, në librarinë “Dukagjini” promovohet romani “Sëmundje dhe Perëndi”, i shkrimtarit Gëzim Aliu.

Për romanin do të flasin Agron Y. Gashi, profesor universitar dhe shkrimtar dhe Meliza Krasniqi, bashkëpunëtore shkencore në Institutin Albanologjik të Prishtinës.

“Sëmundje dhe Perëndí” është roman për trazimin shpirtëror. Për peshën e pyetjeve të mëdha. Për besimin dhe humbjen e besimit në Perëndi. Për gënjeshtrat. Dyshimin. Dashurinë e xhelozinë. Familjen. Fanatizmin. Përkohshmërinë. Dhembjen. Vuajtjen. Vdekjen. Jetën. “Sëmundje dhe Perëndí” është roman për Njeriun! Jo për njeriun e humbur. Është për Njeriun dhe vetminë e tij të përjetshme.

Gëzim Aliu (1977) është shkrimtar, studiues i letërsisë, eseist; doktor në letërsi dhe bashkëpunëtor i lartë shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Deri më tani ka botuar tri romane, një libër me tregime, një libër studimor dhe dy monografi. “Sëmundje dhe Perëndi” është romani i tij i katërt.

Për librat e tij artistikë e shkencorë janë shkruar dhjetëra recensione, kritika, dhe punime. Vepra e tij është vlerësuar lart nga kritikët dhe lexuesit. Pjesë të krijimtarisë së tij janë përkthyer në disa gjuhë të huaja kurse librat e tij janë shpërblyer disa herë me çmime letrare kombëtare.