LAJMI I FUNDIT:

“Të nisin urgjentisht negociatat për Asociacionin”, “Kosova është në krizë dhe ka potencial të eskalimit të situatës” – gjithçka nga deklaratat e ambasadorit Hovenier

“Të nisin urgjentisht negociatat për Asociacionin”, “Kosova është në krizë dhe ka potencial të eskalimit të situatës” – gjithçka nga deklaratat e ambasadorit Hovenier

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier gjatë të mërkurës ka ripërsëritur qëndrimet e SHBA-ve për situatën aktuale në vend. Hovenier i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që të nis urgjentisht negociatat për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

“Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë marrëveshjet që janë nënshkruar përmes procesit të dialogut, dhe kjo përfshinë dhe që ne mendojmë që është urgjente nisja e negociatave për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”, tha Hovenier, duke shtuar se nuk janë duke i kërkuar Qeverisë të bëjë diçka në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe vendimin e vitit 2016 të Gjykatës Kushtetuese.


“Siç e kemi thënë dhe po ripërsëris dhe tash ne nuk do të mbështesnim një ‘Republika Srpska’, por këtu kemi një urgjencë që është identifikuar nga komuniteti dhe është e rëndësishme për ta që ata të ndjehen se janë pjesëmarrës në një mënyrë që atyre ju duket e pranueshme dhe inkurajuese”, u shpreh Hovenier.

Në një takim me gazetarë në ndërtesën e Ambasadës Amerikane në Prishtinë, Hovenier ripërsëriti sërish kërkesën për shtyrje të vendimit për targa edhe për 10 muaj.

Ambasadori theksoi se Qeveria e Kosovës nuk duhet të nisë me gjobitjen e shoferëve që kanë vetura me targa ilegale.

“Ne besojmë që vendimi për targat duhet të shtyhet në tërësi. Ne nuk po kërkojmë implementim të shkallëzuar apo shtyrje të pjesshme, posaçërisht jemi të shqetësuar për mundësit e gjobës apo veprimet e tjera që mund të merren e që hynë në fuqi me 21 nëntor, dhe ja kemi shprehur këto shqetësime qartë qeverisë”, u shpreh ambasadori Hovenier.

Kundërshtimi i vendimit për targa nga serbët dhe largimi i tyre nga institucionet

Shumica e zyrtarëve serb në shenjë kundërshtimi për vendimin e Qeverisë së Kosovës për targat, kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre në institucionet kosovare.

Lidhur me dorëheqjet e tyre, ambasadori amerikan Jeff Hovenier tha se situata në veri është shqetësuese dhe se e njëjta ka “potencial për të eskaluar”.

Ambasadori tutje shtoi se largimi i serbëve nga institucionet nuk është se i kontribuon zgjidhjes së krizës.

Më tej theksoi se Qeveria e Kosovës duhet të bisedojë me komunitetin serb, duke shfaqur shpresën se përfaqësuesit e tij do të kthehen në institucionet e Kosovës.

“Ne jemi duke inkurajuar Qeverinë e Kosovës të bëjnë çfarë munden për të dëgjuar komunitetin, të dëgjojnë ato që kanë vendosur të largohen dhe të dëgjojnë atë shqetësime që ato i kanë identifikuar, në mënyrë që ato të ndjehen se mund të kthehen në atë për çka është arritur pajtim, e që është integrimi i komunitetit serb etnik në institucionet qeverisëse dhe është kjo ajo çfarë ne do të dëshironin të shihnim”, tha Hovenier.

“Shpresojmë që kjo gjë të jetë e përkohshme. Ne besojmë se tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje për mosmarrëveshjet aktuale”, shtoi ai.

Si qëndrojnë raportet ShBA-Kosovë pas ngjarjeve të fundit?

Gjatë takimit me gazetarët të mërkurën në ndërtesën e Ambasadës Amerikane në Prishtinë, ambasadori Jeff Hovenier është pyetur edhe për raportet ShBA-Kosovë dhe se a kanë qenë të koordinuara veprimet e Qeverisë me shtetin amerikan.

Duke dhënë komentin e tij për raportet ShBA-Kosovë, ambasadori theksoi se “ato nuk do të ndryshojnë pavarësisht se kush është në pushtetet”.

“ShBA ka një partneritet kohëgjatë dhe të qëndrueshëm me të gjithë popullin e Kosovës. ShBA ka luajtur rol të rëndësishëm në mbështetjen e popullit të Kosovës gjatë kohës sa ato përjetonin traumë dhe gjersa ata themelonin shtetin e tyre. Jemi krenar në rolin tonë mbështetës për popullin e Kosovës që të arrijë një shtet sovran dhe të pavarur me institucione funksionale dhe kjo s’do të ndryshojë kurrë pavarësisht asaj se kush është në pushtet. Përkushtimi ynë ndaj popullit të Kosovës është i qëndrueshëm dhe i hekurt”, tha Hovenier.

Ai tutje konfirmoi që kryeministri Albin Kurti ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me të, sa i përket veprimeve, po që Qeveria nuk është që ka bërë atë çfarë kanë kërkuar amerikanët.

“Kryeministri Kurti e ka bërë të qartë se ka qenë në komunikim të rregullt me mua dhe mund t’ua konfirmoj absolutisht se kështu edhe është. Por, ajo se çfarë s’mund t’ua konfirmoj është ajo që qeveria ka bërë atë çfarë ne kemi kërkuar. Këtë po e lë këtu”, tha Hovenier.

I pyetur nga Telegrafi se a kanë qenë të koordinuara veprimet e Qeverisë me ShBA-të, dhe çfarë duhet bërë tash e tutje në situatën në të cilën jemi, ambasadori ripërsëriti shtyrjen e vendimit për targat dhe themelimin e Asociacionit.

“Këshilla jonë ndaj qeverisë, siç e thash, është dy-palëshe në këtë krizë të tashme. Njëra, është të ketë shtyrje të plotë për çështjen e targave që të ketë më shumë kohë për ndërrimin e tyre; të mos shkohet para me masa ndëshkuese që do të thotë gjoba nga 21 nëntori, mendoj se është kërkesë fer. Dhe tjetra është që me urgjencë të nisin negociatat për Asociacionin e cila është identifikuar nga komuniteti si dhe nga Beogradi, si një çështje e ndjeshme dhe e rëndësishme Besojmë se kjo është obligim, i nënshkruar në Procesin e Brukselit, i ratifikuar në Kuvendin e Kosovës”, tha Hovenier.

Kosova në krizë

I pyetur se si i komenton shkrimet e disa mediave se ministres së Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu, i është refuzuar viza për një vizitë zyrtare në SHBA, Hovenier tha se “nuk sheh ndonjë rrethanë” për diçka të tillë.

Megjithatë, shtoi ai, Kosova tani “është në krizë”.

“Nuk shoh asnjë rrethanë në të cilën do të ishte e vështirë për qeverinë e ShBA-së të lëshonte vizë për një ministër të Qeverisë së Kosovës. Është një çështje tjetër e ndarë prej kësaj nga udhëtimi për në ShBA për takime zyrtare. Ne aktualisht jemi në një krizë, dhe është pikëpamja jonë që, ne jemi tejet të përqendruar në këtë krizë, besojmë që edhe kjo qeveri është e përqendruar në këtë krizë, dhe mendojmë se nuk është koha mbase domosdoshmërisht më e duhura që ministrat të jenë duke udhëtuar për në ShBA për takime zyrtare duke e pasur parasysh krizën të cilën duhet trajtuar këtu”, u shpreh ambasadori Hovenier.

Plani franko-gjerman për Kosovën dhe Serbinë

Sa i përket planit franko-gjerman për Kosovën dhe Serbinë, ambasadori amerikan Jeff Hovenier tha se tash për tash është “shumë i përqendruar” në krizën aktuale.

“Tani për tani, jam tejet i përqendruar në krizën që kemi para. Mezi pres kohën që të kthehemi në bisedimet e nivelit strategjik rreth propozimeve për normalizim. Mendoj se s’do të ishte gjë e duhur për mua që të flas për përmbajtjen e çfarëdo propozimi që Miroslav Lajçak apo të tjerët kanë vendosur në tryezë. E tërë poenta e komunikimit të ndjeshëm diplomatik është që ato të mbesim të ndjeshme derisa qeveritë merren me gjërat e ndërlikuara.

Besoj se edhe Beogradi e ka bërë të qartë se edhe ata e prioritizojnë Asociacionin si pjesë të pakos për atë se çfarë diskutohet në procesin e dialogut. Qëndrimi i qeverisë amerikane nuk ka ndryshuar. Ne gjithashtu besojmë se zotimi i qeverisë kosovare për Asociacionin duhet të përmbushet”, tha Hovenier. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme

"Vuçiq e mendonte Slloveninë Eldorado serbe, kurse diplomatët e saj vegla të tij", ish-diplomatë serbë flasin për skandalin e fundit të Vuçiqit

Lajme
“Veç me ia ba një vendbanim në gjykatë”, ish-zyrtari i Komunës së Prishtinës del para gjykatës me 24 aktakuza për korrupsion

“Veç me ia ba një vendbanim në gjykatë”, ish-zyrtari i Komunës së Prishtinës del para gjykatës me 24 aktakuza për korrupsion

Drejtësi
Rashiq për stërvitjet ushtarake serbe: Duan vetëm t’i tregojnë muskujt

Rashiq për stërvitjet ushtarake serbe: Duan vetëm t’i tregojnë muskujt

Siguri
Çitaku: Rezultati i zgjedhjeve të përgjithshme do të jetë befasues

Çitaku: Rezultati i zgjedhjeve të përgjithshme do të jetë befasues

Politikë
Çka tha diplomati slloven Zhbogar në OKB që u irritua Vuçiqi?

Çka tha diplomati slloven Zhbogar në OKB që u irritua Vuçiqi?

Lajme
Kalo në kategori