LAJMI I FUNDIT:

Të mos lësh dy gurë bashkë

Të mos lësh dy gurë bashkë

Vëzhgimi i sjelljes është një nga mënyrat më të mira për të identifikuar nëse fëmija juaj lë ose jo “dy gurë bashkë”, siç shprehet edhe populli.

Diola Malasi
Psikologe Këshillimi


Sa herë kam dëgjuar shprehjen tipike “ky fëmijë nuk lë dy gurë bashkë” imagjinoja gjithmonë fëmijë me sjellje tepër të vështira. Besoj se edhe për ju të dashur lexues, kjo është shprehje mjaft e njohur, mbase shpesh ju është thënë edhe në moshën e fëmijërisë.

Hiperaktiviteti te fëmijët është evidentuar nga niveli i lartë i energjisë që fëmijët demonstrojnë. Fëmijët hiperaktivë, të cilët në gjuhën e psikologjisë quhen fëmijë me ADHD, flasin me zë të lartë, nuk qëndrojnë në një vend, pra kanë vështirësi për t’u ulur.

Fëmijët që bëjnë “viktimën” janë dhe hiperaktiv, janë shumë të padëgjuar, nuk dinë ç’është rreziku, shtiren në çdo moment përpara prindërve dhe arrijnë dhe rrezikojnë të lënë shkollën 2 ditë me preteksin se “janë të sëmurë” dhe këtë gjë e “aktrojnë” në mënyrë të përkryer. Mospërqendrimi është një tjetër karakteristikë për këta fëmijë.

A i keni vënë re fëmijët, të cilët nuk kanë aftësi të përqendrohen për një kohë të gjatë, e ndërsa ju vazhdoni t’i flisni ai merret me diçka tjetër? Mësuesit i kanë para syve fëmijët që tërhiqen shumë shpejt nga stimuj të ndryshëm gjatë procesit mësimor, shohin nga dritaret, flasin me njëri-tjetrin dhe pothuajse në shumicën e rasteve tërheqin edhe vëmendjen e fëmijëve të tjerë? Mjaft besoj. Mësuesit në të shumtën e rasteve, fëmijët me sjellje të tilla, i akomodojnë në bankën e parë për të qenë sa më pak të shpërqendruar.

Fëmijët me ADHD, për shkak të vëmendjes me kohë të shkurtër gjatë procesit mësimor, harrojnë të marrin detyrat në klasë dhe shumë prej tyre nuk dinë se ku kanë lënë fletoren e detyrave dhe librin mësimor. Impulsiviteti është karakteristikë e fëmijëve “që nuk lënë dy gurë bashkë”. Ai shprehet shpesh nëpërmjet padurimit.

Paaftësia për të qenë të duruar i bën të mos dëgjojnë fjalën e fundit të mësuesit, ndërsa janë duke u larguar nga klasa. Të folurit jashtë radhe dhe mosrespektimi i fjalës së bashkëmoshatarit është karakteristikë e sjelljeve impulsive.

Duke përmendur disa nga këto karakteristika, shumë prej prindërve do të mendojnë që fëmijët e tyre kanë ADHD. Aftësitë organizuese janë të varfra dhe kjo demonstrohet jo vetëm nëpërmjet harresës së zakonshme, por edhe paaftësisë për të plotësuar detyra të caktuara.

Po të shohësh çantat e tyre, fletoret, librat, lapsat janë bashkë në çdo kohë dhe në mënyrë të çrregullt. Librat e tyre përgjithësisht janë të shkarravitur, të grisur dhe të vjetër.

Këta fëmijë humbasin objekte shkollore. Çrregullimet e sjelljes janë të shpeshta te “fëmijët që nuk lënë dy gurë bashkë”. Këta janë fëmijë të papërmbajtur për shkak të mungesës së vetëkontrollit. E, megjithatë, për të diagnostikuar ADHD-në nuk mjafton vetëm vëzhgimi i sjelljes, por edhe kriteret e vendosura për ADHS-në në Manualin Diagnostik.

Këto kritere kanë të bëjnë me shpeshtësinë e simptomave, kohën në të cilën kanë filluar simptomat, sa kanë zgjatur, cilat janë pasojat e këtyre simptomave, si dhe në cilat ambiente janë më të shfaqura.

Përveç diagnostikimit të mbështetur në Manualin Diagnostik të Patologjive të Shëndetit Mendor, testi që mundet të përdoret për të diagnostikuar është Testi Conners për prindërit dhe Conners për mësuesit.

Të gjitha simptomat për të cilat folëm për ADHD do të dekurajonin çdo prind që ka një fëmijë me ADHD. Do të doja që të kuptonit se ADHD është vërtet një patologji neurologjike, e megjithatë kjo nuk ka të bëjë me zgjuarsinë e fëmijës dhe me mënyrën se si është ndërtuar truri i tij. Ka të bëjë vetëm me vetëkontrollin.

Fëmijët me ADHD kanë një mendje shumë speciale, të krahasueshme me motorin e makinave të garave, por me frena biçiklete. E megjithatë, ajo që na nevojitet është truri apo jo?

Nëse dimë se ku qëndron problemi, është diçka që mund ta rregullojmë. Kështu që mos u dekurajoni për humbjen e “fëmijës perfekt”, sepse është tepër kritike të kesh një prind, i cili parandalon humbjen e një truri kaq special.

Të gjitha shenjat që ka fëmija, impulsiviteti, hiperaktiviteti, krijimtaria, nëse drejtohen mirë, nuk janë më simptoma, por cilësi.