LAJMI I FUNDIT:

Të miturve të dënuar për terrorizëm u pamundësohet shkollimi (Video)

Të miturve të dënuar për terrorizëm u pamundësohet shkollimi (Video)

Dy 16 vjeçarë, njëri nga Vitia e tjetri nga Gjilani, ishin nisur për në Siri të motivuar që të jenë pjesë e luftës atje, veçanërisht në qytetin Sirian të Alepos.

Fatmirësisht tentativa e tyre nuk kishte shkuar përtej Aeroportit të Prishtinës ku ishin ndaluar, ndërsa më pas, një varg institucionesh ishte dashur të merren me risocializimin dhe ri integrimin e tyre.

Dy të rinjtë u dënuan me nga 1 vit në Qendrën Korrektuese të Lipjanit nga ku supozohej se ata do të dilnin të shkolluar dhe më një profesion që do t’u mundësonte një jetë të re.

“Drejtësia në Kosovë” zbulon se si rrjedhojë e një mosmarrëveshje mes të Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe MASHT-it, këtyre të rinjve u është pamundësuar vazhdimi i shkollimit.

Pasi të dy kishin mbajtur nga 9 muaj në Qendrën Korrektuese të Lipjanit dhe ishin liruar me vendim të Gjykatës, asnjëri nga 16 vjeçarët nuk janë pajisur me certifikata për arsimimin e tyre.

Krejt ky pështjellim pranohet nga zyrtarët e Qendrës Korrektuese të Lipjanit, madje aty tregohet se problemi është edhe më i madh se që duket në terren.

Heset Loku nga SHKK thotë se arsimimi i personave të dënuar është kompetencë ekskluzive e Ministrisë së Arsimit ndërsa thotë se për këtë problem qysh para dy vjetëve e ka njoftuar Ministrinë.

“Të miturit po vijojnë mësimin, po përfundojnë mësimin dhe në fund nuk arrijnë të marrin certifikata dhe shkak i kësaj janë mosmarrëveshjet apo mos sqarimi i kompetencave në mes të Ministrisë së Arsimit dhe Drejtorisë së Arsimit në Lipjan”, tha Loku.

Ky nuk është problemi i vetëm i vënë në dritë nga hulumtimi i “Drejtësia në Kosovë”. Gjithashtu është zbuluar se të miturit që kanë ndjekur trajnim profesional gjatë qëndrimit në Qendrën Korrektuese nuk janë pajisur me certifikata sepse nuk u ka mjaftuar kohëzgjatja e dënimit.

“Në njërën prej këtyre grupeve kanë qenë edhe dy të miturit e dënuar për terrorizëm dhe pasi që kanë pasur sjellje të mirë janë liruar para kohe dhe nuk kanë arritur t’i përfundojnë modulet e programeve trajnuese dhe kanë mbetur pa certifikate”, tha Loku.

Loku më tej për “Drejtësia në Kosovë” tha se problemi i dy të miturve të dënuar për terrorizëm është dashur të trajtohet me kujdes të veçantë ndërsa thotë se për këtë problem ka njoftuar disa herë Ministrinë e Arsimit, Ministrinë e Drejtësisë dhe Drejtorinë e Arsimit në Lipjan.

DnK zbulon se problemin e njëjtë me të miturit e dënuar për terrorizëm e kanë edhe rreth 30 të mitur të tjerë të dënuar ndërsa dështimi i organeve shtetërore për tu mundësuar shkollimin të dënuarve për terrorizëm që donin të ishin pjesë e organizatave terroriste  tregon se strategjia kundër terrorizmit nuk ka shkuar përtej të qenit një dokument i mbetur në letër. /DnK/