LAJMI I FUNDIT:

Të mërkurën promovohet libri “Një shqiptar në CIA”

Të mërkurën promovohet libri “Një shqiptar në CIA”

Biografia “Një shqiptar në CIA – dy jetët e Destan Berishës” i autorit Bashmir Xhemaj, botim ky i shtëpisë botuese “Dukagjini”, promovohet të mërkurën (3 prill 2019) në ora 18:00, në librarinë “Dukagjini”.

Ky libër bën fjalë për një shqiptar nga Prizreni, Destan Berishës, që u rreshtua përkrah agjencisë së inteligjencës amerikane CIA, pas Luftës së Dytë Botërore. Libri është mbështetur në arkiva të CIA-s dhe burime tjera me intervista në Kosovë, Shqipëri, Amerikë, Gjermani, Angli dhe Greqi.


Disa prej shkrimtarëve dhe studiuesve që kanë patur rastin ta lexojnë dorëshkrimin, e kanë vlerësuar rrëfimin për kryepersonazhin Destan Berisha so dhe numrin e madh të burimeve arkivore të përdorura. Gazetari dhe autori Ilir Ikonomi ka thënë për këtë libër se “është histori mjaft prekëse, e treguar thjesht dhe me vërtetësi për një njeri si Destani, i cili pasqyron në miniaturë vuajtjen që Kosova përjetoi gjatë shumë dekadave”.

Ish-ndërmjetësuesi për statusin e Kosovës, ambasadori Frank Wisner, babai i të cilit udhëhoqi operacionin e CIA-s në Shqipëri në vitet e ‘50-ta të shekullit të kaluar, pjesë e të cilit ishte Destan Berisha, ka thënë se e “mirëpret një pikëpamje shqiptare për ngjarjet që tronditën Shqipërinë në fund të viteve ‘40 dhe në fillim të ‘50-ave, kohë të cilën SHBA-ja provoi të rrëzojë qeverinë komunistët. Amerikanët, ashtu sikurse edhe shqiptarët, do të përfitojnë nga një rishikim i freskët i asaj kohe në historinë e Luftës së Ftohtë”.

Historiani dhe diplomati Bejtullah Destani, thotë se “libri i Bashmir Xhemajt është historia e përpjekjes së dështuar për rrëzimin e regjimit komunist në Shqipëri. Në këtë operacion të ndërmarrë nga CIA dhe MI6, humbën jetën rreth 300 shqiptarë. Instruktorët anglo-amerikanë e dinin plotësisht se po i dërgonin vullnetarët drejt vdekjes së sigurt. Disa mbijetuan dhe ky është rrëfimi për njërin prej tyre, Destan Berishën nga Billusha e Prizrenit.”

Në promovimin e librit të mërkurën do të flasin pos autorit, edhe disa emra të spikatur të historisë, publicistikës dhe jetës publike në Kosovë. /Telegrafi/