LAJMI I FUNDIT:

“Të lirë nga” tirania, por jo “të lirë për” të jetuar

“Të lirë nga” tirania, por jo “të lirë për” të jetuar

Në SHBA kanë vërshuar fëmijë refugjatë që vijnë prej vendeve në kolaps në Amerikën Qendrore. Përpjekjet për të frenuar përhapjen e sëmundjes së ebolës në Afrikën Qendrore po i mundojnë shumë qeveritë e atyre vendeve. Xhihadistët kanë krijuar një Kalifat të etur për gjak brenda Irakut dhe Sirisë. Pasi ka gëlltitur tashmë Krimenë, Rusia vazhdon të “kafshojë” në brendësi të Ukrainës. Dhe, agjencia e refugjatëve e OKB-së njoftoi se “numri i refugjatëve, azilkërkuesve dhe njerëzve të zhvendosur brenda shteteve në të gjithë botën, për herë të parë në periudhën e pas Luftës së Dytë Botërore, i ka kaluar 50 milionët”.

Nëse të duket sikur bota e kaosit po zgjerohet në dëm të botës së rendit, të siguroj që nuk po imagjinon. Ka një logjikë fatkeqe e gjithë kjo.


Janë tri tendenca të mëdha që po konvergojnë. E para është ajo që një prej mësuesve të mi, Dov Seidman, e quan rritja e popujve “jo të lirë” në botë – “ata miliona, që kanë siguruar një lloj lirie, por gjithsesi nuk ndihen të lirë, pasi tashmë janë të vetëdijshëm që nuk kanë atë lloj lirie që ka më shumë rëndësi”.

Seidman, autor i librit “Si?” dhe Drejtor i Përgjithshëm i IRN, që këshillon bizneset globalë për qeverisjen, thekson se ndërkohë që ka patur një rritje të vëmendjes ndaj efekteve destabilizues të pabarazisë së të ardhurave, ka edhe një tjetër pabarazi, njëlloj shqetësuese, që po shfaqet në të njëjtën kohë: “Është pabarazia e lirisë, dhe kjo shkakton edhe më shumë kaos”.

Kjo mund të tingëllojë e çuditshme. Pas rënies së Murit të Berlinit dhe rrëzimit të diktatorëve gjatë zgjimit arab, si ka mundësi që më shumë njerëz ndihen “jo të lirë?”

Seidman e sheh botën në kuadrin e “lirisë nga” dhe “lirisë për”. Në vitet e fundit, argumenton ai, “më shumë njerëz se kurrë kanë siguruar ‘lirinë nga’ autokratë të ndryshëm në vende të ndryshëm”. Ukrainasit, tunizianët, egjiptianët, irakianët, libianët, jemenasit, sa për të marrë disa shembuj.

“Por janë shumë pak njerëz që po përftojnë lirinë që e duam aq shumë”, shton ai. “Dhe kjo nuk është thjeshtë “liria nga”. Është “liria për”.

“Liria për” është liria për të jetuar jetën tënde, thënë atë që ke në mendje, të nisësh partinë tënde politike, të ndërtosh biznesin tënd, të votosh për cilindo kandidat, të kërkosh lumturinë, dhe të jesh vetvetja, cilido qoftë orientimi yt seksual, fetar apo politik”.

Por, sistemet ligjore dhe institucionet e bazuar mbi vlerat janë pikërisht ato që këto shoqëri nuk kanë arritur të ndërtojnë pas rrëzimit të autokratëve. Prandaj, bota sot mund të ndahet në tre lloje hapësirash: vendet me atë që Seidman e quan “rend i qëndrueshëm”, ose rend të bazuar mbi vlera të përbashkëta, institucione të qëndrueshëm dhe politikë konsensuale; vende me rend të imponuar – ose rend i bazuar mbi një lidership me grusht të hekurt, nga lartë poshtë, ose që mbahet në këmbë prej parave të naftës, apo një kombinim i të dyjave, por jo mbi vlera të vërteta e të përbashkëta; dhe në fund, rajone të tërë ku mbretëron kaosi, si Iraku, Siria, Amerika Latine dhe disa pjesë në Afrikën Qendrore dhe Veriore, ku nuk ka as një grusht të hekurt nga lart, dhe as vlera të përbashkëta poshtë, për të mbajtur të bashkuar shtetet.

Rendi i imponuar, thotë Seidman, “varet nëse ke pushtet mbi njerëzit dhe autoritet forma për të imponuar besnikëri dhe bindje”, por që të dyja janë shumë më të vështira të ruhen sot, në një epokë me qytetarë gjithnjë e më të fuqizuar, të ndërlidhur dhe të informuar, të cilët mund të lidhen dhe bashkëpunojnë kollaj për të rrëzuar pushtete që i konsiderojnë jolegjitime.

Për arsye se krijimi i një lidershipi apo institucioneve të tilla është i vështirë dhe do kohë, sot kemi shumë më tepër boshllëqe në kaos – aty ku njerëzit kanë fituar “lirinë nga”, pa ndërtuar “lirinë për”.

Sfida më e madhe për botën e rendit sot është bashkëpunimi për të frenuar zgjerimin e këtyre boshllëqeve dhe për “t’i mbushur” ata me rend. Këtë po përpiqet të bëjë Obama në Irak, duke kërkuar që irakianët të ndërtojnë një qeveri të qëndrueshme gjithëpërfshirëse, paralelisht me veprimin ushtarak amerikan kundër shihadistëve atje. Përndryshe, atje nuk do të ketë asnjëherë rend të qëndrueshëm, dhe ata nuk do të jenë asnjëherë të lirë.

Por, frenimi dhe tkurrja e botës së kaosit është një detyrë shumë e madhe, pikërisht se përfshin kaq shumë shtetndërtim – përtej kapaciteteve të cilitdo shtet. Gjë që na sjell tek tendenca e dytë shqetësuese sot: sa e dobët, apo e palidhur është e gjithë bota e rendit. Bashkimi Evropian është i zhytur në një krizë ekonomike/papunësie. Kina sillet sikur të jetë në një tjetër planet, e lumtur që është një “kalorës i lirë” në sistemin ndërkombëtar. Dhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, është duke vënë në zbatim një fantazi paranojake cariste në Ukrainë, ndërkohë që bota xhihadiste e kaosit kërcënon nga jugu.

Tani, shtojini dhe një tendencë të tretë, dhe atëherë do të shqetësoheni me të vërtetë: Amerika është poli i çadrës që mban lart të gjithë botën e rendit. Por paaftësia jonë për të rënë dakord për politika që do të garantonin vitalitetin tonë kohëgjatë – një ligj për imigrimin që do të lehtësonte ardhjen e imigrantëve energjikë dhe të talentuar; një taksë për qymyrin neutrale mbi të ardhurat që do të zëvendësonte taksat mbi të ardhurat dhe fitimin; dhe huamarrje qeveritare me këto norma të ulëta për të rindërtuar infrastrukturën tonë, ndërkohë që kalojmë në një riekuilibrim financiar kohëgjatë – është një shenjë e qartë e dritëshkurtësisë sonë.

Lufta e Ftohtë kishte dy vizione konkurruese të rendit. Domethënë, të dy palët ishin në botën e rendit, dhe gjithë sa duhej të bënim ne në Perëndim, ishte të bashkëpunonim për të frenuar Lindjen/Komunizmin. Sot është ndryshe. Është një botë e rendit kundër një bote të kaosit – dhe ky kaos mund të frenohet vetëm nëse bota e rendit bashkëpunon me vetveten dhe me popujt në kaos për të ndërtuar “lirinë për”. Duhet të pushojmë së grinduri, athua jemi në një situatë të zakonshme, dhe aleatët tanë duhet të zgjohen gjithashtu. Ruajtja dhe zgjerimi i botës së rendit të qëndrueshëm është sfida më e madhe e lidershipit në këto kohë që jetojmë. /NYT/Përshtatur në shqip nga: bota.al/

Në trend

Më shumë
Arratiset Enver Sekiraqa, Policia ka informuar të gjitha vendkalimet kufitare

Arratiset Enver Sekiraqa, Policia ka informuar të gjitha vendkalimet kufitare

Drejtësi
Policët nepalez e ndaluan të riun, por mbetën pa fjalë kur ai u tregoi patentë shoferin

Policët nepalez e ndaluan të riun, por mbetën pa fjalë kur ai u tregoi patentë shoferin

Auto
Meç i madh i boksit mes Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk - detajet minutë pas minute

Meç i madh i boksit mes Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk - detajet minutë pas minute

Boks
Vetëm dy vende do të mbijetonin pas apokalipsit bërthamor - çka do t'i shpëtonte këto shtete

Vetëm dy vende do të mbijetonin pas apokalipsit bërthamor - çka do t'i shpëtonte këto shtete

Botë
Arrihet pajtueshmëri për tekstin përfundimtar të rezolutës për Srebrenicën

Arrihet pajtueshmëri për tekstin përfundimtar të rezolutës për Srebrenicën

Bosnja
Mbyllet sezoni në Bundesliga: Bayer Leverkusen me rekord, mësohen të gjitha verdiktet

Mbyllet sezoni në Bundesliga: Bayer Leverkusen me rekord, mësohen të gjitha verdiktet

Bundesliga
Kalo në kategori