LAJMI I FUNDIT:

‘Të kesh kujdes sa je i afërt me Rusinë’ – vjen paralajmërimi për Vuçiqin nga një kompani e madhe gjermane

‘Të kesh kujdes sa je i afërt me Rusinë’ – vjen paralajmërimi për Vuçiqin nga një kompani e madhe gjermane

Afërsia mes Aleksandar Vuçiqit dhe Berlinit është zbehur në momentin kur ndërroi pushteti në shtetin më të fuqishëm të Evropës, po ashtu lufta në Ukrainë dhe nevoja e Bashkimit Evropian për të përshpejtuar marrëveshjen përfundimtare me Kosovën ka tronditur edhe më tej marrëdhëniet mes dy palëve.

Vuçiqit thuhet se i pengon analiza që kompanitë gjermane të cilat veprojnë në Serbi i bëjnë raportit të saj me agresionin ushtarak rus në Ukrainë, gjë që tashmë paralajmërimi i parë erdhi nga njëra prej tyre.


Deri më tani, Vuçiq pothuajse asnjëherë nuk ka fol në kontest negativ për Gjermaninë, mirëpo gjërat ndryshuan pas luftës në Ukrainë, kur Gjermania kërkoi harmonizimin politikës së jashtme të Beogradit me BE-në për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

Megjithatë, situata në Ukrainë nuk është me interes vetëm për politikanët gjermanë por edhe për biznesmenët, të cilët sipas statistikave zyrtare janë investitorët më të mëdhenj të huaj në Serbi.

Sipas Nova, gjatë një bisede me një përfaqësues të një kompanie të madhe nga Gjermania, i është tërhequr vërejtja Vuçiqit nga fakti se pozita aktuale gjeopolitike e Serbisë ndaj luftës në Ukrainë, mund të ndikojë në klimën e biznesit në vend.

“Rreziku i afrimit me Rusinë ekziston derisa Beogradi të vendosë qartë për rrugën evropiane”, kështu i është thënë Vuçiqit nga kjo kompani gjermane.

Gjithashtu, atij i është tërhequr vërejtja që të ketë parasysh se si do të veprojë Serbia gjatë votimit në organizatat ndërkombëtare dhe kur në rend dite të dalin diskutimet për integritetin territorial të Ukrainës dhe sulmin ushtarak të e Rusisë ndaj atij vendi.

Pikërisht me ndërrimin e pushtetit në Gjermani ka ndryshuar edhe raporti mes dy vendeve, duke vënë në plan të parë marrëveshjen përfundimtare me Kosovën dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

Kujtojmë se Serbia është i vetmi vend në Evropë, pas regjimit bjellorus, që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, ku kjo e fundit në mënyrë të paprecedent, më 24 shkurt 2022, kishte sulmuar territorin e Ukrainës. /Telegrafi/