Në zemër të kryeqytetit kroat u zhvillua një nga paradat më të mëdha ushtarake të dekadës, në nder të 30-vjetorit të operacionit ushtarak “Oluja” (Stuhia), që shënon përfundimin e luftës së Kroacisë në vitin 1995.

Rreth 3100 pjesëtarë të ushtrisë, policisë dhe shërbimeve të tjera marshuan në bulevardet kryesore të Zagrebit, ndërsa mbi 450 mjete luftarake, duke përfshirë tanke Leopard, sisteme të blinduara Bradley, obusë modern, dronë luftarakë FPV, si dhe helikopterë Black Hawk u paraqitën në publik për të demonstruar fuqinë ushtarake të vendit.


Kulmi i paradës ishte fluturimi spektakolar i aeroplanëve të avancuar Rafale, të cilët Kroacia i ka blerë së fundmi nga Franca, raporton index.hr.

Pjesë e shfaqjes ajrore ishin gjithashtu grupi akrobatik, “Krila Oluje”, si dhe mbi 40 aeroplanë dhe helikopterë ushtarakë e policorë, të cilët dhuruan një spektakël të vërtetë për qytetarët e mbledhur në sheshet e qytetit.

Një risi e këtij viti ishte përfshirja e flotës detare kroate përmes transmetimeve të drejtpërdrejta në ekrane gjigante, ku u prezantuan 13 anije luftarake nga brigjet e Adriatikut.

Organizatorët deklaruan se parada kishte për qëllim jo vetëm nderimin e forcave kroate dhe të rënëve në luftë, por edhe dërgimin e një mesazhi të qartë për përgatitjen dhe kapacitetin mbrojtës të Kroacisë në një kohë tensionesh të reja ndërkombëtare. /Telegrafi/