LAJMI I FUNDIT:

Tallja nuk është ligj

Tallja nuk është ligj

Rama, shumë shokë dhe shoqe rilindase janë ndierë thellësisht të prekur dhe kanë filluar të përloten për shkrimin tim të dy ditëve më parë. Shokët dhe shoqet rilindase janë mbledhur në organizatën bazë të partisë dhe njëzëri kanë pohuar se artikulli në fjalë shkonte ndesh me vijën e partisë.

Rama, unë personalisht do të ndihesha shumë e fyer nëse avokatinë do të ma bënin “jabanxhinjtë në mendim” që jo vetën nuk kanë argument në avokatinë e tyre, por kanë edhe një sforcim të dukshëm dhe qesharak për t’u shfaqur si perëndimorë .


Duke qenë se e kam pohuar gjithnjë faktin se në ndryshim nga Erion Veliaj, ti di shkrim e këndim, po të drejtohem ty me disa pyetje.

Rama, në cilësinë e Kryeministrit të vendit, ke nxjerrë një ligj për mbajtjen me detyrim të maskave edhe kur je duke ecur në rrugë, kur paradoksalisht ishte po ti, që para dy muajsh, kur u bëre zborin mediatik mjekëve që ishin radhitur si ushtarë para teje the: “Ta qartësojmë këtë gjë. Maskat nuk duhen në ambiente të hapura. Mjafton distancimi fizik”.

Dhe, mjekët njëzëri t’u përgjigjën: “Ne e vumë se donim t’ju mbronim juve zoti kryeministër”.

Pas dy muajsh Rama, ti mohon atë çka vetë ke pohuar duke urdhëruar mbajtjen me detyrim të maskave. Dhe ajo çka ti quan ligj, është në të vërtetë një tallje e madhe.

Logjika jote e çartur Rama, na vendos para një panorame të tillë:

Nëse je në një trotuar dhe je duke ecur në këmbë, duhet të vendosësh maskën për të mbrojtur veten.

Nëse je në të njëjtin trotuar dhe ulesh në tavolinën e një kafeneje, nuk duhet ta vendosësh maskën.

Më thua pak, në cilin argument shkencor e mbështet këtë logjikë?!

Nuk ka asnjë argument shkencor që mbështet këtë logjikë Edi Rama. E për sa kohë nuk ka asnjë argument shkencor që e mbështet këtë logjikë do të thotë që ti nuk i gjobit njerëzit për moszbatimin e ligjit, por i gjobit për moszbatimin e talljes.

E dyta, jo për nga rëndësia po për nga renditja, mjafton të futesh në faqen zyrtare të Erion Veliajt dhe do të shohësh foto ku kryetari i bashkisë, jo vetëm është pa maskë, por nuk respekton as distancimin fizik në shfaqjet e tij në foto.

Në ç’argument shkencor e mbështet logjikën se Veliaj është imun ndaj virusit, Edi Rama?

Nuk ka asnjë argument shkencor që mbështet këtë logjikë. E, për sa kohë nuk ka asnjë argument shkencor që e mbështet këtë logjikë, do të thotë që ti nuk i gjobit njerëzit për moszbatimin e ligjit, por i gjobit për moszbatimin e talljes.

Të rikujtoj faktin se unë u gjobita teksa ecja krejt e vetme dhe pa maskë.

Dhe, unë nuk u gjobita për moszbatimin e ligjit, por për moszbatimin e talljes.

Ti po tallesh me një popull të tërë Edi Rama! Ti pretendon që ne të mbyllim sytë, të mbyllim gojën dhe të flakim tutje trurin dhe t’i bindemi kësaj talljeje të madhe dhe ti të na gjobisësh se ne nuk të lejojmë të tallesh me ne.

Jo, zotëri! Unë refuzoj të tallem nga ti. Nuk ta ka njeri borxh talljen.

Dhe, mos bëj të fyerin qoftë ti, qoftë deputetet e tua, pasi revolta ime në shkrimin e djeshëm ishte më e pakta që mund të bënte një njeri që i kanë mbetur ende dy fije tru në kokë dhe një fije respekti për veten.

E varfërove këtë komb. Bëre që shqiptarët të merrnin arratinë. Shkatërrove dhe vazhdon të shkatërrosh çdo vlerë dhe na fyesh ti dhe të dalldisurat e tua, kur dikush merr guximin t’ju tregojë vendin.

E ke hak ti dhe deputetet e tua, çdo fjalë që kam shkruar pasi me vullnet dhe me një gjakftohtësi të frikshme po talleni dhe po persekutoni një popull të tërë.

Ndaj Edi Rama, mos na hidh hi syve të na e servirësh talljen tënde si përkujdesje.

Tallja jote është poshtërim, tallja jote është nëpërkëmbje, tallja jote është diktaturë e mirëfilltë.

Dhe unë e refuzoj këtë tallje.

Post Scriptum: Të fala jabanxhinjve në mendim, Edi Rama!