LAJMI I FUNDIT:

Takimi Kurti – Vuçiq dhe tensionet në veri, Feilcke: Dalja nga kjo situatë është urgjente për Kosovën

Adelheid Feilcke, shefe e Programit për Evropën në Deutsche Welle, ka qenë e ftuar këtë të martë në emisionin “Përballje” në Telegrafi.com ku ka folur për dialogun e Kosovë-Serbi, tensionet në pjesën veriore të vendit si dhe integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Në intervistën me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu, njohësja e çështjeve të Ballkanit ka folur edhe për takimin që do të mbahet të enjten e 14 shtatorit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për çka ka thënë se kjo është një javë e rëndësishme sidomos për Kosovën.


“Është një javë e rëndësishme për Kosovën veçanërisht, sepse për Serbinë tema e Kosovës nuk e ka atë prioritetin siç e ka për ju kosovarët dhe për zhvillimin e Kosovës. Kjo dis-balancë mes të dyja vendeve gjithmonë nga jashtë, nga Gjermania kur shikohet është shumë e qartë sepse Kosova është një çështje e rëndësishme për Serbinë, por për Serbinë ka edhe probleme të tjera.

Për Kosovën, zhvillimet dhe akordimi i politikës me faktorët ndërkombëtarë në zgjidhjen e problemit me Serbinë janë vendimtare dhe çështje kyçe, veçanërisht këtë kohë kur janë vendosur sanksione dhe masa të veçanta ndaj Kosovës. Pra, pritjet për të dalë nga ky konflikt janë mëse urgjente për Kosovën e cila gjendet në këtë situatë”, ka deklaruar Feilcke.

Adelheid Feilcke, shefe e Programit për Evropën në Deutsche Welle, gjatë intervistës në emisionin “Përballje”

Sipas saj, tensionet në veri të Kosovës e pengojnë edhe procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE.

“Durimi është në fund. Për fat të keq në situatën e tanishme kur kemi luftë në Ukrainë është më se e rëndësishme të arrihen marrëveshjet këtu në rajon për të vepruar së bashku. Por, për këtë duhet një vullnet i përbashkët e kjo gjë nuk po shihet. Ka interesa të ndara mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, por edhe në BE ka vende me interesa të ndryshme”, ka thënë Feilcke, duke shtuar se për këtë duhet një zgjidhje përfundimtare e një gjë e tillë nuk po shihet shumë afër.

Sa i përket takimit mes dy liderëve, Kurti e Vuçiq, ajo është shprehur se është pozitive që një e gjë e tillë po ndodh, por ka thënë se nuk beson që do të arrihet marrëveshje në afat të shkurtër.

“Është pozitive që liderët do të takohen, por nuk besoj që shumë shpejt do të arrihet një marrëveshje. Megjithatë, edhe hapat e vegjël në drejtimin e duhur janë mëse të mirëpritur. Një veri duhet një rrugëdalje nga problemi që është krijuar pas zgjedhjeve dhe vendosjen e kryetarëve të komunave. Tani shoh që kanë ndodhur disa hapa sepse kuptohet që duhen zgjedhje të reja. Por, procedura se si do të mbahen zgjedhjet dhe se si do të binden qytetarët për të marrë pjesë në to do të jetë prapë një sfidë sepse duhet vullnet nga të gjitha anët dhe e dimë shumë mirë se gjithçka ka lidhje me politikën e Beogradit”.

Shefja e Programit për Evropën në Deutsche Welle ka folur edhe për procesin e Berlinit dhe integrimin e vendeve të Ballkanit në BE, për çka ka thënë se patjetër duhet një perspektivë me afat më të shkurtër.

“Qytetarët e këtyre vendeve janë duke pritur gjatë dhe i kanë humbur shpresat që anëtarësohen shpejtë. Procesi i Berlinit është një nga veglat për ta treguar atë mbështetjen dhe mbështetja bëhet me gjëra konkrete. Edhe vetë kancelari gjerman është një nga politikanët që e mbështesin fuqishëm Procesin e Berlinit dhe të integrimit të Ballkanit Perëndimor. Ai i jep rëndësinë e duhur këtij procesi. Lufta në Ukrainë na ka treguar të gjithëve që rreziku i përballjes me dhunën nuk është tejkaluar dhe ne duhet të gjejmë zgjidhje. Është në interes të Evropës që shoqëria në vendet e Ballkanit të integrohet sepse problemet që ndodhin këtu reflektojnë edhe në Evropë. Plus edhe ikja e të rinjve nga vendet e Ballkanit. Pse kjo? Sepse mungon perspektiva”.

Feilcke në fund ka folur edhe për projektet e DW që kanë të bëjnë me mediat në vendet e Ballkanit.

“Risi është që jemi fokusuar më shumë te videot, storjet e shkurtra vizuale sepse ideja dhe qëllimi ynë është që të fokusohemi më shumë te audienca e re. Pse kjo? Sepse ideja është që rinia është në procesin e orientimit. Ne përpiqemi që të fokusohemi në temat që iu interesojnë të rinjve. Risi është se kemi krijuar një redaksi me të rinj nga Ballkani Perëndimor”, ka thënë ajo. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Të shtëna me armë në Lupç të Podujevës, katër të plagosur

Të shtëna me armë në Lupç të Podujevës, katër të plagosur

Kronika e Zezë
Kosova pranë anëtarësimit në KiE, Bakoyannis: Asnjë kandidati nuk i janë kërkuar kaq shumë reforma

Kosova pranë anëtarësimit në KiE, Bakoyannis: Asnjë kandidati nuk i janë kërkuar kaq shumë reforma

Lajme
Hyn në fuqi marrëveshja, Shqipëria dhe Kosova heqin kontrollet në kufij për nëntë muaj

Hyn në fuqi marrëveshja, Shqipëria dhe Kosova heqin kontrollet në kufij për nëntë muaj

Lajme
Hapet segmenti tre kilometra që lidhet me Urën e Kukësit, ura hapet plotësisht brenda qershorit

Hapet segmenti tre kilometra që lidhet me Urën e Kukësit, ura hapet plotësisht brenda qershorit

Lajme
Kurti takon tri nënkryetaret serbe, konsultohet për lirinë e asocimit të komunave në veri

Kurti takon tri nënkryetaret serbe, konsultohet për lirinë e asocimit të komunave në veri

Lajme
Gjykata Speciale, përfundon dëshmia e dëshmitarit të 60-të, gjykimi në ndaj Thaçit dhe të tjerëve rinis më 6 maj

Gjykata Speciale, përfundon dëshmia e dëshmitarit të 60-të, gjykimi në ndaj Thaçit dhe të tjerëve rinis më 6 maj

Drejtësi
Kalo në kategori