LAJMI I FUNDIT:

Takimet e Osmanit me liderët evropianë, fushata informuese për liberalizimin e vizave dhe humbja e rastit në arbitrazh me “Countur Global” – lajmet e javës

Takimet e Osmanit me liderët evropianë, fushata informuese për liberalizimin e vizave dhe humbja e rastit në arbitrazh me “Countur Global” – lajmet e javës

Javën që po lëmë pas presidentja vendit, Vjosa Osmani kishte takime të shumta me liderët evropianë në kuadër të Samitit të liderëve të vendeve evropiane, ndërkaq temë e të gjitha këtyre takimeve ishte sulmi terrorist ndaj Kosovës dhe kërkesa për sanksionimin e Serbisë.

Po javën që po lëmë pas, u lansua fushata informuese lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën, ku qytetarët nga 1 janari mund të lëvizin lirshëm në vendet e Zonës Shengen.


Lajm tjetër që shënoi javën ishte humbja e rastit në Gjykatën e Arbitrazhit me “Countur Global”, ku Kosova detyrohet t’ia paguajë mbi 20 milionë euro.

Takimi i Osmanit me kancelarin gjerman Scholz, presidentin francez Macron e kryeministrin britanik  Sunak

Në kuadër të Samitit të liderëve të vendeve evropiane, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani për dy ditë radhazi ishte në Granada të Spanjës, gjersa u takua me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, kryeministrin britanik Rishi Sunak, presidentin francez, Emmanuel Macron, kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis, etj.

Osmani në nisje të këtij samiti u deklarua para mediave ndërkombëtare, duke i njoftuar për situatën në Kosovë dhe sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës, më 24 shtator.

E pyetur nëse do të ketë takim me presidentin e Serbisë, ajo tha “nuk ka arsye për takim para sanksioneve… sanksione së pari pastaj mund të dialogojmë…”, tha ajo.

E në samitin e mbajtur në Granada të Spanjës, presidentja e Kosovës ka takuar edhe liderët evropianë.

Osmani vazhdon takimet në Spanjë, bisedon me kryeministrin holandez: Serbisë t’i kërkohet llogari për aktin terrorist kundër Kosovës
Lexo po ashtu Osmani vazhdon takimet në Spanjë, bisedon me kryeministrin holandez: Serbisë t’i kërkohet llogari për aktin terrorist kundër Kosovës

Gjatë këtij samiti, Osmani ka zhvilluar biseda të veçanta me kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis, të cilët i njoftoi për situatën aktuale në Kosovë, pas sulmit terrorist që ndodhi më 24 shtator.

Në fotografinë që ka siguruar Telegrafi nga ky bashkëbisedim i Osmanit me Scholz dhe Mitsotakis, në prapavijë vërehet presidenti serb, Aleksandar Vuçiq i cili qëndronte i vetmuar.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar edhe homologun e saj francez, Emmanuel Macron, në Granada të Spanjës ku po merr pjesë në samitin e liderëve të vendeve evropiane.

Në një shkrim në llogarinë zyrtare në rrjetin social “X”, Osmani tha se ka qenë një takim i rëndësishëm mbi zhvillimet e fundit të sigurisë në Kosovë.

Ajo tha se Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për agresionin kundër Kosovës.

Osmani gjatë qëndrimit në Granada ka takuar edhe kryeministrin britanik, Rishi Sunak. Në llogarinë zyrtare në rrjetin social “X”, Osmani ka thënë se ka pasur rastin që të informojë kreun e Qeverisë britanike për situatën e sigurisë në Kosovës pas aktit të agresionit të Serbisë.

Po ashtu ka falënderuar Sunak për forcat shtesë që Britania po dërgon në Kosovë në kuadër të KFOR-it, dhe ndihmën në ruajtjen kufirit dhe për të parandaluar akte të tjera.

Osmani ka kërkuar që Serbia të mbahet përgjegjëse për agresionin kundër Kosovës.

Gjatë samitit në Granada të Spanjës, presidentja e vendit, Vjosa Osmani është takuar edhe me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, me kryeministrin e Lihtenshtajnit, Daniel Risch, presidentin e Lituanisë, Gitanas Nauseda e po ashtu ka takuar edhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Fushata informuese për liberalizimin e vizave – shkelja e rregullave mund të penalizojë me ndalim hyrje në zonën Shengen deri në 5 vite

Në Kosovë ka filluar fushata informuese lidhur me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, të cilët nga 1 janari 2024 nuk kanë nevojë më të presin para ambasadave për tu pajisur me vizë për vizitë në vendet e BE-së, gjegjësisht vendet që janë në zonën Shengen.

Në njoftimin në rrjetin social Facebook bëhet e ditur se megjithëse liberalizimi i vizave hyn në fuqi nga janari 2024, liberalizimi nuk ua mundëson qytetarëve të punojnë, të ndjekin shkollimin ose të qëndrojnë më gjatë se 90 ditë brenda një periudhe 180 ditësh.

“Liberalizimi i vizave është një hap shumë i rëndësishëm për qytetarët e Kosovës! Kjo do të thotë që ju tani keni mundësinë e udhëtimit pa vizë për qëndrime afatshkurtra, duke përfshirë vizitat turistike dhe udhëtimet për të vizituar familjarët, disa herë brenda vitit. Kujdes, megjithatë, që të mos tejkaloni 90 ditët brenda një periudhe prej 180 ditësh”, thuhet në njoftim.

Për të udhëtuar pa vizë, kërkohen dokumente të rëndësishme si pasaportë biometrike, dëshmi mbi qëllimin e udhëtimit, rezervimin e vendit të qëndrimit, detajet e udhëtimit, dokumentet për veturën nëse udhëtoni me të, dhe dëshmi për mjete të mjaftueshme financiare.

“Kujdes, megjithatë, liberalizimi i vizave nuk ju mundëson të punoni, të ndiqni shkollimin, ose të kryeni studime në zonën Shengen.

Shkeljet e rregullave apo abuzimi i kësaj të drejte mund të sjellin pasoja të rënda, duke përfshirë gjoba financiare, shënim në pasaportën tuaj dhe ndalim të hyrjes në zonën Shengen deri në 5 vite.

Përdorni këtë informacion për të udhëtuar me sukses dhe pa vështirësi!”, thuhet në njoftim.

Kosova e humb arbitrazhin me “Countur Global”, detyrohet t’ia paguajë mbi 20 milionë euro

Qeveria e Kosovës e ka humbur arbitrazhin ndërkombëtar me kompaninë amerikane “Countur Global” për mosrespektim të kontratës, thanë të enjten zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës.

Kosova detyrohet tani t’ia paguajë “Countur Global” mbi 20 milionë euro dëmshpërblim, në bazë të vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit Ndërkombëtar.

Zyrtarët e Ministrisë thanë se Avokatura Shtetërore dhe përfaqësuesi ligjor i kontraktuar e kanë analizuar vendimin final të arbitrazhit dhe se do të ankohen ndaj tij në Gykatën Civile në Mbretërinë e Bashkuar.

Këshilltari i ministres së Drejtësisë, Genc Nimoni, ka konfirmuar vendimin Arbitrazhit për KP, duke treguar se vendimi final është analizuar dhe i njëjti do të sfidohet në gjykatën civile në Mbretërinë e Bashkuar.

“Avokatura Shtetërore e ka pranuar vendimin final të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit, (ICC). Vendimi i Arbitrazhit e obligon Republikën e Kosovës që t`ia paguajë Countur Global-it shumën prej 20,053,125.63 euro. Avokatura Shtetërore dhe përfaqësuesi ligjor i kontraktuar e kanë analizuar vendimin final të arbitrazhit dhe i njëjti do të sfidohet në gjykatën civile në Mbretërinë e Bashkuar”, thotë Nimoni.

Në fund të vitit 2017, Qeveria e Kosovës e pati nënshkruar marrëveshjen komerciale me kompaninë amerikane, “Countour Global”, për ndërtimin e Termocentralit ‘Kosova e Re” me kapacitet 500 megavat, i cili do të kushtonte 1.3 miliard euro.

Ky pritej të ishte investimi më i madh i huaj në Kosovë.

Termocentrali “Kosova e Re” ishte paraparë të fillohet të ndërtohej në vitin 2020, ndërsa të vihet në punë në vitin 2023. Jetëgjatësia e tij ishte llogaritur të ishte 40 vjet.

Por, në mars të vitit 2020, kompania “Countour Global” kishte njoftuar tërheqjen nga planet për ndërtimin e termocentralit, me arsyen se kompania nuk e ka ndër mend të ndërtojë projekte me thëngjill në të ardhmen, por, po ashtu, edhe për arsyeje të ndryshimeve politike që kishin ndodhur në Kosovë.

Kosova ka më shumë se 10 miliardë tonë linjit dhe si i tillë është vendi i pestë në botë për nga sasia e këtij resursi, por me gjithë pasurinë e linjitit, Kosova vazhdon të përballet me mungesë të energjisë elektrike. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Plagosja e katër personave, deklaratat e Policisë e Prokurorisë – gjithçka nga rasti në Lupç të Podujevës

Plagosja e katër personave, deklaratat e Policisë e Prokurorisë – gjithçka nga rasti në Lupç të Podujevës

Kronika e Zezë
Kush ishin dy gratë që dhanë idenë për pajtimin e gjaqeve, tregon bashkëpunëtori i Anton Çettës

Kush ishin dy gratë që dhanë idenë për pajtimin e gjaqeve, tregon bashkëpunëtori i Anton Çettës

Lajme
Bajrami: Jam i gatshëm ta ndihmoj Kurtin në procesin e Asociacionit

Bajrami: Jam i gatshëm ta ndihmoj Kurtin në procesin e Asociacionit

Lajme
Balje: Deklarata e Kurtit për Kodin Civil është provokuese, nuk votoj pro martesave të gjinisë së njëjtë

Balje: Deklarata e Kurtit për Kodin Civil është provokuese, nuk votoj pro martesave të gjinisë së njëjtë

Lajme
Të shtëna me armë në Lupç të Podujevës, katër të plagosur

Të shtëna me armë në Lupç të Podujevës, katër të plagosur

Kronika e Zezë
Pas skandalit në TikTok, Policia kërkon ndihmë për kapjen e shtetasit të Shqipërisë, i cili ndodhet në një burg në Francë

Pas skandalit në TikTok, Policia kërkon ndihmë për kapjen e shtetasit të Shqipërisë, i cili ndodhet në një burg në Francë

Kronika e Zezë
Kalo në kategori