Presidenti i Tajvanit, Lai Ching-te, njoftoi se Tajvani do të ndërtojë një sistem të ri shumështresor të mbrojtjes ajrore dhe ata e gjetën frymëzimin për emrin në sistemin izraelit të Kupolës së Hekurt.

Sipas presidentit të Tajvanit, ky sistem do të quhet "T-Dome".


Në fjalimin e tij për Ditën Kombëtare, Lai tha se Tajvani është i vendosur të shpenzojë më shumë për mbrojtjen dhe do të propozojë një buxhet të posaçëm për shpenzimet ushtarake deri në fund të vitit, duke treguar vendosmërinë e qeverisë për të mbrojtur ishullin.

"Rritja e shpenzimeve për mbrojtjen ka një qëllim. Është një nevojë e qartë për t'iu kundërvënë kërcënimeve të armikut dhe një forcë lëvizëse për zhvillimin e industrisë sonë të mbrojtjes. Ne do të përshpejtojmë ndërtimin e T-Dome, do të krijojmë një sistem të fuqishëm mbrojtjeje ajrore në Tajvan me mbrojtje shumështresore, zbulim të nivelit të lartë dhe përgjim efektiv. Ne do të krijojmë një rrjet sigurie për Tajvanin për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve", tha Lai.



Bëhet e ditur se sistemet ekzistuese të mbrojtjes ajrore të Tajvanit bazohen kryesisht në raketat amerikane Patriot dhe raketat Sky Bow.

Tajvani zbuloi raketën e tij më të fundit të mbrojtjes ajrore, e cila është projektuar për të kapur raketa balistike me rreze të mesme veprimi, në një panair të madh armësh në Taipei muajin e kaluar, të quajtur Chiang-Kong.

Përveç kësaj, Lai shfrytëzoi një tjetër mundësi për t'iu drejtuar Kinës në fjalim, duke i kërkuar asaj të heqë dorë nga përdorimi i forcës për të ndryshuar status quo-në në Ngushticën e Tajvanit. /Telegrafi/