LAJMI I FUNDIT:

Tahiri: Ligji për Paga të sillet sa më parë në Kuvend

Tahiri: Ligji për Paga të sillet sa më parë në Kuvend
Foto: Arkiv

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri i ka bërë thirrje Qeverisë që ta sjell sa më shpejt Ligjin për Paga të sillet në Kuvend për votim.

Tahiri ka kërkuar nga Qeveria që të tregojë nëse do të procedohet ky Ligj, e të mos mbahen peng sindikatat.

“Ligji i Pagave është dashur të vijë në Kuvend më 29 tetor të këtij viti. Ka ardhur Ligji për Buxhet para këtij Ligji, që nënkupton se buxhetimi i këtij Ligji në Buxhetin e vitit 2022 nuk ekziston. Kërkojmë nga ju që sa më shpejt të nisin konsultimet e detyrueshme për të sjellë këtë Ligj në Kuvend. Ligji që e kam sjellë në Kuvend nuk është kontestuar nga Gjykata Kushtetuese, por vetëm amandamentimet. Ligji është gati, kërkojë nga ju ta sillni sa më parë në mënyrë që ta buxhetojmë ose të deklaroheni se nuk keni vullnet ta sillni në Kuvend këtë Ligj”, është shprehur Tahiri, përcjell Telegrafi.

Ligji i cili ishte shpallur i i pavlefshëm nga Gjykata Kushtetuese, pritej të rregullonte pagesën e të punësuarve që marrin rroga nga buxheti i shtetit. Vlera e pagës bazë llogaritet duke shumëzuar koeficientin e klasës së pagës me vlerën monetare të koeficientit prej 239 euro për vitin e parë. Raporti i koeficienteve është një me dhjetë të shpërndarë në 69 nivele të koeficienteve. Koeficienti më i lartë është 10, pozitë kjo që e mban vetëm Presidenti i Kosovës, më pas është niveli i 9, ku bëjnë pjesë kryetari i Kuvendit, Kryeministri dhe Kryetari i Gjykatës Kushtetuese.

Pra, Ligji rregullonte rritjen e pagave për 70 për qind të punëtorëve në sektorin publik, kurse 30 për qind e tyre mbetën jashtë. Por, punëtorë në sektorë të ndryshëm publikë, kishin shprehur pakënaqësitë lidhur me përcaktimet dhe përfshirjen e tyre në Ligj. /Telegrafi/