LAJMI I FUNDIT:

Tahiri: Kurti dhe ndërkombëtarët të angazhohen për t’i kthyer policët e rrëmbyer

Tahiri: Kurti dhe ndërkombëtarët të angazhohen për t’i kthyer policët e rrëmbyer
Foto: Arkiv

Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe nga bashkësia ndërkombëtare që të angazhohen që t’i kthejnë në vend tre policët e rrëmbyer nga forcat speciale ushtarake të Serbisë.

Në konferencën për media pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, kritikoi të parin e ekzekutivit për mungesë të informatave


“Në cilësinë e GP të PDK-së, kërkoj nga kryeministri një angazhim shumë më serioz, së bashku me akterët ndërkombëtarë, për lirimin e tre policëve të cilët janë marrë peng nga forcat speciale të Serbisë, të cilët kanë cenuar edhe sovranitetit të Kosovës.

Çdo ditë e më shumë që ata policë mbahen në Serbi, mendoj që kjo do të ndikojë një formë edhe në përkeqësimin e raporteve ndëretnike në Republikën e Kosovës. Prandaj, duhet një intervenim sa më i shpejtë, ndoshta brenda ditës, që ata tre policë, qytetarë të Republikës të kthehen në vendin tonë që të mos kemi përshkallëzim të mëtejmë”, tha ai.

“Mendoj që dje kemi parë një papërgjegjësi jashtëzakonisht të madhe të kryeministrit të Kosovës. Për një gjë kaq të rëndësishme nuk gjen kohë të rrijë në seancë. Por, ndoshta ka shumë pak informata dhe ka shumë pak çka me thënë fatkeqësisht për vendin tonë”, tha ai.

Ndërsa paralajmëroi ndryshim të qasjes së opozitës, siç tha ai, në të mirë të vendit.

“Ky (Kurti) çdo veprim e bën ad-hoc. Lind një krizë, pastaj ai e shfrytëzon atë, e fut vendin në një qorrsokak, nuk i din punët. Edhe dje e thamë, në prezantimin e kryeministrit nuk jemi duke e parë ‘dritën në fund të tunelit’… Nuk mbahet rendi me Njësi Speciale, atje duhet të vendosen njësi të rregullta, prokurori, gjyqtarët. Fatkeqësisht situata është kjo që është. Dhe, mendoj që edhe ne si opozitë duhet të bëjmë një prerje (vijë), ku tani e tutje ndoshta duhet të ndryshojmë qasjen, e cila për momentin mund të mos duket e mirë, por do t’i shihen të mirat pastaj”, tha ai, raporton kp.