LAJMI I FUNDIT:

A do ta fillojë Koreja e Veriut luftën në këtë vit?

A do ta fillojë Koreja e Veriut luftën në këtë vit?
Ilustrim: Kim Jong Un gjatë një fjalimi në TV (foto: Ahn Young-joon/AP Photo/Picture Alliance)

Julian Ryall

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong, Un e mbylli vitin 2023 me një fjalim të zjarrtë politik drejtuar udhëheqjes së Partisë Komuniste. Ai hodhi poshtë mundësinë e ribashkimit paqësor me Korenë e Jugut. E përshkroi marrëdhënien midis dy Koreve si “midis dy vendeve armiqësore dhe dy palëve ndërluftuese”, raportoi KCNA.


Kim bëri thirrje për një zgjerim “eksponencial” të arsenalit bërthamor të Koresë së Veriut dhe rritje të testimit të raketave balistike. Premtoi se do të lëshojë tre satelitë të rinj për spiunim. Në fjalimin e tij, Kim akuzoi Korenë e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për “lëvizje të pamatura” në përgatitje për një “pushtim” dhe paralajmëroi se “lufta në Gadishullin Korean mund të shpërthejë në çdo kohë”.

Koreja e Veriut testoi ​​një numër rekord raketash në vitin 2023, duke përfshirë atë që në dhjetor pretendoi se ishte një raketë balistike ndërkontinentale me aftësi bërthamore që mund të godiste kudo objektivat në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në fund të vitit të kaluar, testoi edhe një raketë që lëshoi ​​një satelit spiun në orbitë. Koreja e Veriut njoftoi të dielën (14 janar)se kishte lëshuar me sukses një raketë balistike hipersonike me rreze të mesme veprimi.

Koreja e Jugut kumtoi më 6 janar se Koreja e Veriut kishte gjuajtur të paktën 60 predha artilerie në ujërat pranë ishullit të Koresë së Jugut të Jonpjong, afër kufirit midis dy Koreve.

Përveç kësaj, satelitët amerikanë kanë zbuluar modernizimin dhe zgjerimin e një kompleksi kimik të Koresë së Veriut, pranë qytetit Manpo, që ndërlidhet me prodhimin e kimikateve të përdorura për karburantin e raketave dhe reagentët për armët bërthamore. Në dhjetor, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) raportoi se një reaktor i dytë bërthamor në Jongbjon ishte funksional dhe mund të përdoret për të prodhuar ngarkesa armësh.

“38 North”, një faqe interneti e drejtuar nga Instituti Stimson me qendër në Uashington, paralajmëroi se lëvizjet e fundit të Kimit mund të shkojnë përtej propagandave të zakonshme.

Robert Karlin, ish-kreu i divizionit të Azisë Verilindore të Departamentit të Shtetit, dhe Siegfried Hecker, profesor i studimeve të mospërhapjes bërthamore në Institutin Middlebury për Studime Ndërkombëtare në Monterej, paralajmërojnë se situata e sigurisë në Gadishullin Korean është “më e rrezikshme se kurrë më parë – nga qershori i vitit 1950” kur shpërtheu Lufta Koreane. “Kjo mund të tingëllojë tepër dramatike, por besojmë se, ashtu si gjyshi i tij në vitin 1950, Kim Jong Un ka marrë një vendim strategjik për të shkuar në luftë”, thuhet në artikull.

“Nuk e dimë se kur apo si Kim planifikon të tërheq këmbëzën, por rreziku është tashmë më i madh se paralajmërimet rutinë në Uashington, Seul dhe Tokio për ‘provokimet’ e Phenianit”, thonë ata. “Tema e përgatitjes për luftë, në mediat e Koresë së Veriut, nuk është shfaqur që nga fillimi i vitit të kaluar vetëm si zhurmë tipike”, përfunduan ata në faqen e internetit.

Analistët thonë se paralajmërimi i tyre është bazuar te braktisja e regjimit të Koresë së Veriut nga qëllimi i tij i kahershëm për “normalizimin” e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara. Pheniani tani mund të besojë se një normalizim i tillë është i pamundur.

Është “vendimtare” të kuptojmë se “sa i vërtetë ka qenë qëllimi kryesor për përmirësimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara për të tre Kimët që kanë udhëhequr Korenë e Veriut”, thuhet në artikull. “Heqja e plotë e këtij qëllimi ka ndryshuar thellësisht peizazhin strategjik brenda dhe përreth Koresë”, shtuan analistët.

Dështimi i samitit në Hanoi më 2019 midis Kimi dhe ish-presidentit amerikan Donald Trump, ishte “humbje traumatike e fytyrës për Kim”. Bisedimet u përqendruan në mundësinë e lehtësimit të sanksioneve, në këmbim të premtimit të Koresë së Veriut për të mbyllur programin e saj të armëve, por asnjëra prej tyre nuk funksionoi.

Pesë vjet më vonë, Koreja e Veriut beson se “ka ardhur koha për të sfiduar status kuonë”, thonë analistët. Veriu po zhvillon lidhje me Rusinë duke mbështetur me raketa artilerie luftën e Moskës në Ukrainë. Në të njëjtën kohë, Pheniani beson se Shtetet e Bashkuara janë në “tërheqje globale”.

Megjithatë, analistë të tjerë janë skeptikë ndaj pretendimit se Koreja e Veriut po përgatitet të nisë një luftë. “Thirrjet për t’u armatosur për luftë nuk janë të rralla në Korenë e Veriut”, tha Garen Maloy, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Daito Bunka në Tokio dhe një specialist në çështjet ushtarake. “Nuk duhet të jemi të vetëkënaqur dhe të themi se kjo është e kotë, por as të imagjinojmë se kjo do të thotë luftë”, tha ai.

Sipas tij, është shqetësuese që “çdo shenjë dobësie perëndimore” në Lindjen e Mesme, në Ukrainë apo gjetkë, mund t’i lërë përshtypjen Kimit “se kjo është një mundësi unike për t’u futur në luftë.”

Rio Hinata-Yamaguchi, asistent profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Tokios, beson se momenti aktual nuk është në favor të Koresë së Veriut – nëse dëshiron të hyjë në një aventurë lufte. “Veriu ka bërë përparim në raportet me Kinën dhe Rusinë si aleatë dhe nuk shoh asnjë arsye pse ata do të dëshironin të luftonin në këtë pikë”, tha ai. “Koreja e Veriut mund të bazohet tek mbështetja e Moskës dhe Pekinit, por nuk u beson aq sa duhet për të qenë i sigurt se do t’i vijnë në ndihmë në rast lufte”. Ai beson se lidershipi i Koresë së Veriut nuk është budalla dhe se Kimi dhe motra e tij (Kim Yo Jong) po përdorin fjalët si levë strategjike, duke sugjeruar veprime që sinjalizojnë luftë, por që nuk synojnë të shkojnë aq larg. “Megjithatë, shqetësimi im i madh nuk është aq shumë një sulm i mundshëm i planifikuar ndaj Koresë së Jugut apo Japonisë, por kërcënimet me armë që mund të çojnë në keqkuptime dhe konflikte të paqëllimshme”.

Megjithatë, Karlin dhe Hecker këmbëngulin se bota duhet të marrë në konsideratë seriozisht skenarin e rastit më të keq dhe se Koreja e Veriut “mund të planifikojë të sillet në një mënyrë që kundërshton plotësisht llogaritjet tona”. Kjo përfshin “argumentin rutinë tani që Kim Jong Un nuk do të guxonte” të niste një sulm ndaj Koresë së Jugut ose pozicioneve ushtarake të ShBA-së, sepse ai “e di” se Uashingtoni dhe Seuli do të “shkatërronin regjimin e tij nëse do ta bënte këtë”.

Nga ana tjetër, Malloy tha se narrativa e Koresë së Veriut që nuk ka alternativa veç luftës – sepse nuk ka arritur marrëveshje me ShBA-në – “kapërcen shumë boshllëqe në logjikë”. “Kim nuk është i çmendur, ai është aktor shumë racional”, tha Malloy, duke vënë në dukje se diktatori i Koresë së Veriut përfiton nga aleanca më e ngushtë me Rusinë. Sipas tij, regjimi i Kimit aktualisht nuk tregon shenja të mosmarrëveshjeve serioze apo të ndonjë kolapsi të brendshëm. /DW/

Në trend

Më shumë
Presidenti i Bayernit shokon të gjithë me trajnerin e ri që do ta marrë drejtimin e klubit: Ai është një ekspert i shkëlqyer

Presidenti i Bayernit shokon të gjithë me trajnerin e ri që do ta marrë drejtimin e klubit: Ai është një ekspert i shkëlqyer

Bundesliga
Ancelotti flet për shanset e Realit për të kaluar në finalen e Ligës së Kampionëve: Nuk e keni parë versionin më të mirë të Real Madridit

Ancelotti flet për shanset e Realit për të kaluar në finalen e Ligës së Kampionëve: Nuk e keni parë versionin më të mirë të Real Madridit

Liga e Kampionëve
Një nga qytetet më të mëdha në botë po fundoset - do të shpenzohen 35 miliardë dollarë për ndërtimin e një kryeqyteti të ri

Një nga qytetet më të mëdha në botë po fundoset - do të shpenzohen 35 miliardë dollarë për ndërtimin e një kryeqyteti të ri

Botë
Tuchel i pamëshirshëm me yllin e Bayernit: Bëri dy gabime në dy golat e pranuar

Tuchel i pamëshirshëm me yllin e Bayernit: Bëri dy gabime në dy golat e pranuar

Bundesliga
SBAShK i kërkon Qeverisë dialog dhe rritje të pagave për së paku 30% – paralajmëron veprime tjera sindikale

SBAShK i kërkon Qeverisë dialog dhe rritje të pagave për së paku 30% – paralajmëron veprime tjera sindikale

Lajme
“Bjeshka” i bashkohet LDK-së, Abdixhiku: Na priftë e mbara Gjeneral

“Bjeshka” i bashkohet LDK-së, Abdixhiku: Na priftë e mbara Gjeneral

Lajme
Kalo në kategori