Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar pas vendimit të gjykatës për rastin e sulmit terrorist në Banjskë, ku dy nga terroristët morën burgim të përjetshëm, ndërsa i treti u dënua me 30 vite burg.

Sveçla përmes një postimi në rrjetin social në Facebook theksoi se ky vendim përbën një moment të rëndësishëm për drejtësinë e Republikës së Kosovës. Ai nënvizoi se dënimet maksimale duhet të vlejnë për të gjithë të përfshirët, duke përfshirë pjesëtarët e një rrjeti më të gjerë prej 45 personash të identifikuar.


“Sulmi i 24 shtatorit 2023 nuk ishte një akt i izoluar, por një operacion i organizuar me mbështetje shtetërore nga Serbia, me synim cenimin e rendit kushtetues dhe aneksimin e një pjese të territorit të Kosovës”, tha ministri.


Ai shtoi se përballimi i këtij sulmi nga Republika e Kosovës ndali një skenar të rrezikshëm për ndarje dhe theksoi se faktet dhe provat dokumentojnë përfshirjen e drejtpërdrejtë të Serbisë.

Sveçla theksoi gjithashtu se strukturat kriminale dhe paramilitare në veri janë çmontuar dhe se rendi kushtetues është mbrojtur.

Ai bëri thirrje që Serbia të mbahet përgjegjëse për rolin e saj politik, financiar dhe logjistik në këtë agresion.

Ministri vuri në pah se ky vendim nuk mund të kthejë heroin Afrim Bunjaku, por është një hap drejt drejtësisë për sakrificën e tij dhe dhimbjen që mbetet te familja, kolegët dhe qytetarët.

"Drejtësia për Banjskën nuk përfundon këtu. Ajo përmbyllet vetëm kur të gjithë përgjegjësit të dalin para drejtësisë, me në krye Milan Radoiçiqin", ka shkruar Sveçla. /Telegrafi/