Suzanne Vega: Gruaja e parë që kryesoi Glastonbury, rikthehet pas 36 vitesh me një pamje krejt ndryshe

Suzanne Vega, gruaja e parë që ka kryesuar ndonjëherë skenën e famshme të Glastonbury-t në vitin 1989, është rikthyer në vëmendje 36 vjet më vonë me një stil dhe pamje krejt ndryshe.
Dikur me flokë të shkurtë dhe xhaketë xhins, sot ajo shfaqet me flokë të gjatë biondë dhe një stil më të sofistikuar, siç shihet në fotografitë që ka ndarë në Instagram.
Në atë kohë, Vega bëri histori në festivalin legjendar duke performuar në Pyramid Stage, por për pak sa nuk ndodhi fare: ajo tregoi se ishte kërcënuar nga një ndjekës, dhe se policia i kërkoi të mos dilte në skenë, shkruan DailyMail.
“Më vendosën një jelek antiplumb nën xhaketë dhe ishim të gjithë të tensionuar, por s’e lashë pas dore”, kujton ajo. “Jam krenare për atë moment”.
Pas suksesit të madh në vitet e 80-ta me këngë si Luka dhe Tom’s Diner, Suzanne publikoi këtë vit albumin e saj të ri Flying With Angels, pas një pauze 10-vjeçare.
Në një intervistë për Forbes, ajo tha se krijimtaria e saj lëviz me emocionin: “Sot jam në humor punk rock, nesër mund të jetë diçka krejt tjetër”.
Ndërkohë, Glastonbury 2025 pritet të jetë sërish i mbushur me yje si Rod Stewart, Olivia Rodrigo, Neil Young dhe The 1975.
Po ashtu, përflitet se Lewis Capaldi mund të bëjë një rikthim të befasishëm në skenë, pas publikimit të këngës së tij të re Survive, që shënon fundin e një pauze dyvjeçare për shkak të problemeve shëndetësore. /Telegrafi/































































