Susan Boyle humb në finalen e konkursit “Britania ka talent”

Boyle, e cila jeton e vetme me macen e saj, fitoi famë muajin e kaluar, kur imazhet me këngën e kënduar prej saj arritën të bëhen një ndër klipet më të shikuara në historinë e ueb-faqes të videoklipeve YouTube.
Fillimisht njerëzit u habitën nga dëshira e Boyle për të konkuruar në garën televizive për shkak të pamjes së saj të jashtme mjaft të shkujdesur që ishte në kontrast të madh me stilin e shumë konkurrentëve të tjerë. Por nuk kaloi shumë dhe zëri i saj i bëri për vete të gjithë.
Të shtunën, Boyle hyri në finalen e konkursit si një ndër favoritet për të fituar por zuri vendin e dytë pas një trupe kërcimi të quajtur “Diversity”. Grupi fitues u shpërblye me 160,000 dollarë si dhe me mundësinë për të interpretuar përpara Mbretëreshës Elizabet.
Në finale, Boyle këndoi pjesën “I Dreamed a Dream”, të njëjtën këngë që i dha asaj famën e fillimit. /VoA/


























































