LAJMI I FUNDIT:

Surrati i komunizmit në Rumani jeton akoma

Surrati i komunizmit në Rumani jeton akoma

“Partia është në gjithçka: në të gjitha, çfarë janë sot, dhe në të gjitha ato, që do t’i buzëqeshin diellit nesër!” Këto vargje nga kohët më të errëta të diktaturës komuniste në Rumani janë sërish aktuale sot, pothuajse saktësisht 29 vjet pas kolapsit të komunizmit në këtë vend të Evropës Juglindore. Ose e thënë më saktë: vazhdojnë të jenë aktuale.

Partia në pushtet PSD – shkurtimi në fakt do të thotë Partia Socialdemokrate – sillet si një përfaqësi e popullit që sundon në mënyrë absolutiste dhe i vazhdon sulmet ndaj Bashkimit Evropian si dhe shtetit juridik. Tradhtia ndaj PSD është e barabartë me tradhëti kundër Rumanisë! Me mesazhe të tilla dhe të ngjashme nacionaliste-populiste e drejton PSD karrocën, pra Rumaninë – pas në humnerat e diktaturës së Çausheskut!

Shefi i partisë i dënuar prej kohësh për shkak të manipulimit të zgjedhjeve Liviu Dragnea dhe shpura e tij po kremtojnë një kthim pas në parulla primitive e naive dhe aq u bën për dëmin, që i shkaktojnë vendit. Pak ditë para marrjes së Presidencës së Këshillit të BE nga Rumania, qeveria gjoja social-liberale e Bukureshtit tregon fytyrën e saj të vërtetë johumane dhe thellësisht antievropiane.

Po, ata vazhdojnë të ekzistojnë, aparatçikët populistë dhe nacionalistë si në kohët e Çausheskut, të cilët duan të përcaktojnë edhe më tej fatet e vendit. Politikanë të korruptuar dhe të dyshuar për korrupsion ndjekin vetëm një synim: pikën “zero”, e cila do të sigurojë marrjen totale të pushtetit prej tyre. Që prej marrjes së pushtetit dy vjet të shkuara, koalicioni në pushtet përpiqet me dëshpërim që të miratojë një ligj amnestie dhe faljeje. Neutralizimi i drejtësisë dhe zbutja e luftës kundër korrupsionit janë bërë prioriteti kryesor i qeverisë marionetë të shefave të PSD-së dhe i organizatorit Dragnea. Ky dhe kolegë të tjerë të partisë synohet të lahen nga të gjitha kritikat për korrupsion dhe vendimet gjyqësore, në mënyrë që të kenë mundësinë të ngjiten vetë në postet më të larta.

Herë pas here, shoqëria civile dhe presidenti liberal-konservator Klaus Iohannis i kundërshtojnë së bashku këto përpjekje. Edhe nga Brukseli u dëgjuan pak javë më parë – me vonesë të konsiderueshme – kritika. Kritikat qenë kaq të forta, sa u aktivizua e gjithë forca antievropiane e postkomunistëve: u deklarua se nuk do të lejohet që të “diskriminohemi” nga Komisioni i BE dhe nga Parlamenti Evropian. Nuk jemi “vend i klasit të dytë”, u tha. Asnjë fjalë për gabimet vetjake. Fajin e ka bota e jashtme, BE, George Soros-i, “shteti paralel” dhe presidenti i shtetit.

Po të pyetet Dragnea, kundër Klaus Iohannisit madje duhet të bëhen hetime për tradhëti të lartë, sepse presidenti i shtetit paskësh pasur poshtërsinë që të thoshte se qeveria aktuale nuk qenka në gjendje të marrë përsipër presidencën e Këshillit të BE. Në vitin 2019, kjo është motoja e populistëve nacionalistë, njerëzit duan një president të shtetit zemërmirë, “rumun”, që e do vendin e tij. Me këtë aludim të ri për përkatësinë e presidentit në minoritetin gjerman të Rumanisë, fushata e shfrenuar e shpifjeve kundër Iohannis arrin një pikë të re kulmore.

Dragnea ushqen pakënaqësitë kundër të huajve dhe me to përpiqet që të largojë vëmendjen nga politika katastrofale e qeverisë. Kështu si Dragnea flasin diktatorët. Jo vetëm në Bukuresht bëhen krahasime me pushtetmbajtësin komunist Çaushesku, 29 vjet pas ekzekutimit të tij në dhjetor 1989.

Më 1 janar Rumania merr presidencën e Këshillit të BE. Një kryesim, i cili do të karakterizohet nga fushata shpifjeje, propagandë dhe nga Fake News. Dhe nga një parti, e cila – si paraardhësja e saj komuniste – kërkon të jetë në të gjitha, çfarë janë sot, dhe në të gjitha ato, që do t’i buzëqeshin diellit nesër. Në një kohë kur Dragnea, si çdo autokrat, harron thelbësoren: ai që qesh i fundit, zakonisht qesh më mirë!