LAJMI I FUNDIT:

Supën e burgut apo gjobë për fjalën?

Supën e burgut apo gjobë për fjalën?

Kryeministri ynë ka vendosë dhe për këtë po përgatit një ligj, që të mos e dënojë me burg njerëzinë që shpif, sipas tij. Domethënë edhe njerëzinë që tash e mbrapa do të guxojë të thotë ndonjë fjalë të papëlqyeshme për të e për punët e qeverisë. Jo pesë vjet, as tetë, mos o Zot! Si dënoheshin njerëzia një herë e në një kohë jo fort të largët, sa herë që mendimi i keq për udhëheqësin fluturonte fshehtas si në eter e guxonte masandej e artikulohej në formën e fjalës. Nuk do ta bëjë, se ka zemër ai e njerëzia i dhimbet. I dhimbet ajo njerëzia e butë, po patjetër; ajo njerëzia lepe-peqe, që miklohet prej tij, edhe kur për vedi ajo është trokë. Kur është pa shpi e pa katandi, pa punë e me bukën thatë. Pa lekë për spitalin e për ilaçet kur t’i vijë nevoja për to. I pamundur me e mbyll muajin me dritat e me ujin. Po i dhimbsen edhe ata që s’bëzajnë kur taksidari në punë a polici në rrugë iu zhvat edhe kacidhen e fundit. Për shtetin, po edhe për xhepin. Për shtetin “që po bëjmë”, pra. Madje edhe atëherë kur njeriu, o Zot mos ma keq, duke ecë rrugës shkon për dhjamë qeni prej plumbave që thjesht ngatërrojnë shenjë, si “me kenë tuj hëngër bukë e djathë”. Mëshirë, o Zot, për këtë gjindje të mjerë e të nënshtruar!…

Po udhëheqësit tonë të mëshirshëm nuk i dhimbet hiç ajo njerëzia tjetër që mendon keq për të, kushdo qofshin a sado qofshin ata. Jo, jo, aspak! E pse t’i dhimben, kur ata vetë nuk kanë pikën e mëshirës që ia prishin qejfin ditë përditë atij vetë, duke ia përmendë gjithçka të mbrapshtë e të padrejtë, hajni e korrupsion, drogë e përdhunime e të tjera punë të baltosura; të gjitha skandalet që bëjnë veqilët e tij?… Por, siç na ka bërë me dije, supën e burgut do ta kursejë për ta. Nuk do t’ua bëjë atë mirësi se njerëzia mendimvrazhdë, për të, nuk e meriton mëshirën e tij. Nuk e meritojnë, jo, supën e burgut ata që nuk e lavdërojnë qeverinë dhe Kryeministrin tonë… (Fundja, kur s’e pëlqejnë,pse nuk ikin edhe ata si shokët? Pse budallenj janë ata dyqind e sa mijë të tjerë që janë dyndë vetëm këto 4 vitet e fundit nëpër Europë?!)

Të gjithë ata pra, vetëm do të gjobiten, do të gjobiten rëndë, po supën e burgut nuk do të kenë fatin ta provojnë!

E me të ardhurat prej tyre e me kursimet e supës, që s’do t’ua japë, do të hapë shkolla edukimi. Shkolla, ku njerëzit në nevojë për t’u edukuar ta mësojnë njëherë e mirë se si duhet të flasin për prijësit tanë fuqiplotë në dheun e tyre…

Për këto po na bën me dije, zoti Kryeministër, e këtu e mbas, askujt nuk lejohet të thotë se nuk e dita. Ai nuk la para nesh asnjë mëdyshje për të zgjedhur: A supë në burg, a gjobë të rëndë! Nëse kjo gjë do të shkojë fjollë, ashtu siç e ka menduar dhe e ka thënë ai, kërcënimi i gjobës për fjalën e papëlqyeshme prej tij rri pezull para kujtdo, që do të guxojë të mos i lëpihet atij. Përpara gjithkujt që ende don të jetojë në këtë vend, edhe pse përditë, për shkak të tij e të tijve ky vend po bëhet i pajetueshëm. Përpos një grushti mercenarësh, që mbledhin e përpunojnë mbetjet e skandaleve qeveritare nëpër kazanët mediatikë. Kurse për ne të tjerët… jo supë burgu, po gjobë të rëndë! Aso gjobe që duhet të lesh leshtë për ta paguar. Dhe hajde fol masandej, po deshte!

Për këtë na ka bërë me dije, bile e ka përsërit disa herë këto ditë… I mbetet vetëm të rreshtojë kartonët e deputetëve të vet në atë aulën që ende quhet Parlament. E ato i njohin mirë këto punët e supës së burgut dhe të gjobave; falë edhe përvojave që disa sosh kanë në këto punë. Dhe siç duket, nuk do ta vonojë këtë gjë. Testin e durimit tonë ai e ka bërë kaherë. Po tash së fundi na dha edhe këshillën e freskët, si mësim për të gjithë. Prokuroria thirri kreun e opozitës për ta pyetur për… “Xhesilën”. Sigurisht, që gjithsecili prej nesh e ka të qartë se zoti Lulzim Basha nuk do të gjobitet. Kjo as ka gjasë e as nuk mund të ndodhë. Por për të tjerët, për të gjithë mendimvrazhdët për qeverinë, është vath në vesh. Kumti metaforik është i kuptueshëm pa pasë nevojë me e shtrydhë shumë mendjen: Dëgjoni e shihni ju të tjerët…!- po thotë.

Dhe të tjerët, kush më shumë e kush më pak, po sidomos ata që e kanë një farë moshe e kanë ende të freskët trokëllimën e këtij kumti. Pse a nuk fillohej edhe atëherë me këshilla, më së pari? Këshilla të tipit: Kujdes, se Partia ta jep njëherë dorën, po pastaj, pastaj ta pret gjuhën.

Pak a shumë kështu po na këshillon edhe Kryeministri ynë. Kujdes gjuhën, po na thotë. Dhe kjo është e trishtë, sot tri dekada më pas. E rëndë për t’u duruar…