Nga: Zak Schneider / Newsweek
Përkthimi: Telegrafi.com

Presioni mbi dobësitë strukturore të Rusisë mund ta ndihmojë Ukrainën dhe ta detyrojë Rusinë të ulet në tryezën e negociatave.


Thirrjet për negociata për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë po bëhen gjithnjë e më të forta. Por, një pjesë e madhe e debatit në kryeqytetet perëndimore ende keqkupton se nga çfarë ka frikë më së shumti Moska. Kryesisht, Kremlini nuk ka frikë nga zgjerimi i NATO-s, as nga vendosja e një vije të re ndarëse. Presidenti Vladimir Putin ka frikë nga rusët. Paqja për Rusinë do të nënkuptojë paqëndrueshmëri të brendshme. Kjo shpjegon mungesën e gatishmërisë së Rusisë për t’i marrë seriozisht negociatat në vazhdim.

Kjo është arsyeja pse diskutimet për përfundimin e luftës përmes lëshimeve nga Ukraina janë të gabuara (ndonëse Ukraina ka pranuar lëshime, ndërsa Rusia jo gjatë negociatave deri më tani). Kjo është lufta të cilën duhet ta përfundojë Rusia, jo Ukraina. Propozimet që ushtrojnë presion mbi Kievin për të dorëzuar territor keqkuptojnë problemin thelbësor: frikën e Putinit për atë që ndodh kur lufta përfundon. Komuniteti euroatlantik duhet ta theksojë këtë frikë, duke ushtruar presion mbi Rusinë. Putini nuk mund ta ndalë lehtë këtë luftë, sepse ndalimi i saj do të zbulonte dobësinë më të thellë strukturore të regjimit të tij: paaftësinë e Rusisë për të kryer demobilizimin pa e destabilizuar veten.

Për Putinin, lufta e përhershme është bërë më pak zgjedhje dhe më shumë mekanizëm mbijetese. Kjo nuk është diçka e re. Diplomati amerikan George Kennan paralajmëroi në vitin 1946 se Moska kërkonte siguri jo përmes kompromisit, por përmes “një lufte të durueshme, por vdekjeprurëse”, nxitur nga një ndjenjë kronike e pasigurisë.

Objektivi i politikës perëndimore, argumentonte Kennan, nuk ishte të ndryshonte qëllimet sovjetike përmes forcës, por të shfrytëzonte kontradiktat e brendshme derisa presioni të bëhej i pakapërcyeshëm. Kohë të ndryshme, logjikë e ngjashme.

Rusia sot përballet me atë që mund të quhet dilemë e demobilizimit. Lufta në Ukrainë nuk ka të bëjë me territorin ukrainas. Lufta po zhvillohet si përgjigje ndaj brishtësisë së brendshme të Rusisë, rënies së legjitimitetit dhe një sistemi politik që varet nga mobilizimi, frika dhe përballja e jashtme për të ruajtur kontrollin.

Në Rusi, politika e jashtme ka funksionuar prej kohësh si zgjatim i politikës së brendshme. Retorika civilizuese e Putinit për “Botën Ruse” shërben për një qëllim të dyfishtë: justifikimin e dhunës jashtë vendit dhe legjitimimin e shtypjes brenda vendit. Popullariteti i tij u rrit pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014 dhe përsëri pas pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës në vitin 2022. Lufta, për Kremlinin, përforcon bindjen dhe konformizmin duke militarizuar shoqërinë kundër një kërcënimi të jashtëm të fabrikuar.

Mbajtja e kësaj frike është qendrore për legjitimitetin e Putinit. Në sytë e Kremlinit, përfundimi i luftës - përmes një armëpushimi dhe një marrëveshjeje të negociuar - do ta dobësonte atë kërcënim të jashtëm dhe rrjedhimisht pushtetin e Putinit. Kjo do të nënkuptonte jo vetëm kthimin e qindra mijëra ushtarëve të traumatizuar dhe të kalitur nga lufta në një shoqëri tashmë të privuar nga kanalet për shprehjen e pakënaqësisë politike, por edhe një ndalim të menjëhershëm të një ekonomie lufte që mbështetet në mënyrë të pasigurt mbi shpenzime të larta të mbrojtjes si një përqindje e buxhetit kombëtar. Ky nuk është një shqetësim teorik; është historik.

Bashkimi Sovjetik u përball me një ballafaqim të ngjashëm në vitet ‘80 të shekullit XX pas pushtimit të tij katastrofik të Afganistanit. Kjo përballje pjesërisht ishte rezultat i ndihmës së fshehtë e të kujdesshme amerikane për kryengritësit afganë. Ndërsa humbjet për rusët rriteshin dhe fitorja mbetej e paarritshme, u shemb legjitimiteti i qëllimeve sovjetike të luftës.

Veteranët e këtij konflikti, të njohur si “Afganci”, u kthyen të zhgënjyer në shtëpi, të paaftë dhe nevrikë. Pjesërisht, ata e detyruan shtetin merrej me pyetjen pse kishin derdhur gjak, duke bërë presion mbi sistemin nga të gjitha anët. Formuan grupe të organizuara shoqërore dhe organizata civile që sfiduan autoritetin e partisë, nxitën kundërshtimin politik dhe më vonë luajtën role joproporcionale në paqëndrueshmërinë që pasoi në Rusi gjatë viteve ’90 të shekullit XX.

Këto dinamika të brendshme kishin rëndësi. Lufta e dështuar dërgoi valë tronditëse në shoqërinë sovjetike, duke ndërvepruar me stagnimin ekonomik, pakënaqësitë nacionaliste dhe përçarjet e elitave. Rezultati ishte shembja e Bashkimit tiranik Sovjetik.

Rusia sot nuk është Bashkimi Sovjetik. Por, paralelet janë të dukshme. Pas më shumë se një dekade lufte në Ukrainë dhe mbi katër vjet pushtimi në shkallë të plotë, po shfaqen çarjet nën sipërfaqen e kontrollit të Kremlinit. Kthimi i një numri të madh veteranësh në jetën civile përbën rrezik ekzistencial për regjimin. Këta ushtarë shpesh mbahen në front kundër vullnetit të tyre.

Ndryshe nga ushtritë profesionale perëndimore, forcat ruse përbëhen në mënyrë disproporcionale nga të burgosur, pakica etnike dhe ushtarë me kontratë të rekrutuar përmes marrëveshjeve shfrytëzuese.

Për më tepër, praktikat e brendshme të Rusisë nuk pasqyrojnë ato të kundërshtarëve të saj perëndimorë. Kultura abuzive e dedovçinës - poshtërimi sistematik dhe dhuna e ushtruar nga eprorët - mbetet e rrënjosur. Ushtarët shpesh përshkruhen si “mish”. Janë të përhapu tortura, dhuna seksuale dhe neglizhenca ekstreme.

Mungesa e kujdesit e ushtrisë ruse për jetën dhe mirëqenien e personelit të saj nuk është rastësore; është strukturore. Zyrtarët e Kremlinit madje i kanë quajtur veteranët e luftës në Ukrainë si afganci të rinj. Ky emërtim është domethënës. Kjo ka rëndësi sepse krijon një përzierje të paqëndrueshme nga këndvështrimi i Kremlinit: luftëtarë të traumatizuar me përvojë luftarake, shumë armë dhe rrjete të reja të pakontrollueshme patronazhi.

Një pjesë e kësaj energjie tashmë është shfaqur në puçe nga kompani ushtarake private, blogerë të pakënaqur nacionalistë dhe kritika të hapura ndaj Ministrisë së Mbrojtjes - të gjitha më parë të paimagjinueshme në një diktaturë gjithnjë e më tiranike.

Lufta i mban të punësuar, të kontrolluar dhe të varur të rinjtë e rrezikshëm dhe të pakënaqur nga politika. Paqja jo. Dilema shtrihet përtej fuqisë punëtore. Ekonomia e Rusisë është bërë thellësisht e varur nga mobilizimi në kohë lufte. Shpenzimet masive për mbrojtjen tani përbëjnë një pjesë të jashtëzakonshme të shpenzimeve federale, duke krijuar një bazë të fuqishme të brendshme të lidhur me vazhdimin e konfliktit. Ndërsa ekonomia ka treguar qëndrueshmëri afatshkurtër, themelet e saj janë të ngushta dhe të brishta. Inflacioni, mungesat e fuqisë punëtore dhe rreziqet e tensioneve janë të pranishme. Përfundimi i luftës do ta bënte politikisht dhe ekonomikisht të rrezikshëm çmontimin e stimulit të kohës së luftës.

Nga një perspektivë politike, ndryshimi i regjimit nuk duhet të jetë qëllimi - sidomos sepse ndryshimi i regjimit në Rusi mund të çojë në grupe që shpesh janë më radikale se Kremlini në formën e tij aktuale. Në vend të kësaj, duhet të ndjekim politikën origjinale të Kennanit për frenim: “Çfarë ndodh në Rusi duhet të mbetet në Rusi”. Kjo nënkupton përdorimin e presionit mbi Kremlinin për ta detyruar atë të veprojë në lidhje me negociatat për Ukrainën. Regjimi rus e kupton këtë rrezik dhe po mbështetet te paaftësia e Perëndimit.

Komuniteti euroatlantik duhet të shfrytëzojë dobësitë e Rusisë. Nga një këndvështrim modest, mbështetja për një armëpushim të pakushtëzuar gjatë negociatave e zhvendos barrën drejtpërdrejt mbi Moskën. Ajo ekspozon dobësitë e brendshme të Kremlinit dhe e detyron atë të marrë publikisht përgjegjësinë për kostot e agresionit të vazhdueshëm. Edhe nëse armëpushimi i pakushtëzuar dështon, një nismë e qëndrueshme do të tregojë edhe një herë, për komunitetin ndërkombëtar, se objektivi politik i Federatës Ruse ka qenë të zhvillojë një luftë agresive kundër Evropës që vret ukrainas dhe njerëzit e vet.

Për më tepër, kjo politikë do të na japë më shumë të dhëna që mund të ndihmojnë në përgatitjen për agresione të ardhshme; nëse Rusia nuk mund të demobilizojë pa u destabilizuar, atëherë Evropa (dhe Shtetet e Bashkuara) duhet të përgatisin skenarë për një Rusi të bllokuar në mobilizim të përhershëm ose në paqëndrueshmëri të brendshme.

Si gjatë Luftës së Ftohtë, avantazhi i Perëndimit nuk qëndron në përshkallëzimin për interes të tij, por në detyrimin e Moskës të përballet me papajtueshmërinë midis agresionit të jashtëm dhe stabilitetit të brendshëm. Frika më e madhe e Putinit nuk është humbja jashtë vendit. Është demobilizimi brenda vendit. /Telegrafi/