Sot, më 23 prill 2026, është ndarë nga jeta shkrimtari dhe akademiku i njohur Rexhep Qosja.

Sipas njoftimit të nipit të tij, Valjet Rexhepi, ceremonia e varrimit është zhvilluar në praninë e anëtarëve të ngushtë të familjes, në përputhje me dëshirën e të ndjerit.


Familja ka bërë të ditur gjithashtu se, me vullnetin e Qosjes, nuk do të organizohet ceremoni pritjeje dhe nuk do të ketë pjesëmarrje në organizime institucionale.

"Njoftojmë se sot, më datë 23.4.2026 është ndarë nga jeta dhe është varrosur Rexhep Qosja. Varrimi u zhvillua në praninë e anëtarëve të ngushtë të familjes. Me dëshirë të të ndjerit, nuk do të organizohet ceremoni pritjeje nga familja. Familja nuk do të marrë pjesë në organizime institucionale. Lusim që privatësia jonë të respektohet dhe të na mundësohet të mbajmë zi në qetësi", ka shkruar nipi i tij.

Pas njoftimit për vdekjen e Qosjes, Kuvendi i Kosovës ka mbajtur një minutë heshtje në nderim të tij.

Rexhep Qosja ishte shkrimtar, akademik. Lindi në Vuthaj të Malit të Zi më 25 qershor 1936. Shkollimin fillor dhe të mesëm e kishte kryer në Vuthaj dhe në Guci.

Në Prishtinë e kreu Shkollën Normale, ndërsa studimet për gjuhë dhe letërsi shqipe i kreu në Fakultetin Filozofik të Prishtinës.

Studimet pasuniversitare i kishte kryer në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Beogradit.

Më pas, ai kishte filluar punën asistent në Institutin Albanologjik të Prishtinës. /Telegrafi/