Ligjvënësit janë kthyer në Capitol të SHBA-së për të përfunduar vërtetimin e fitores së Joe Biden në zgjedhje, disa orë pasi mbështetësit e Trump sulmuan ndërtesën në një trazirë nga e cila mbetën katër të vdekur.

Sipas BBC, përcjell Telegrafi, një grua u qëllua nga policia, ndërsa tre të tjerë vdiqën si rezultat i "urgjencave mjekësore", thanë zyrtarët.


Ndryshe, turma pro-Trump sulmoi ndërtesën në një përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve, duke pezulluar një seancë të Kongresit.

Presidenti Donald Trump, i cili sipas BBC, kishte nxitur demonstruesit të marshonin drejt Capitol, më vonë i thirri ata të "shkonin në shtëpi", ndërsa vazhdonte të bënte pretendime të rreme për mashtrime elektorale.

Dhe Twitter dhe Facebook më vonë “ngrinë” llogaritë e tij.

Zëvendëspresidenti i SHBA-së Mike Pence filloi seancën e rinisur të mërkurën në mbrëmje, në të cilën ligjvënësit po numërojnë dhe konfirmojnë votat elektorale, duke thënë se kishte qenë një "ditë e errët në historinë e Capitolit të Shteteve të Bashkuara". /Telegrafi/